Në Kavajë është përuruar shtatorja e Josif Budos, i njohur si heroi i parë i lëvizjes antikomuniste në Shqipëri, i cili u vra nga forcat e Sigurimit më 26 mars 1990. Në ceremoninë përkujtimore mori pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili theksoi se sakrifica e Budos u kthye në simbol frymëzimi për shqiptarët në përballje me diktaturën.
“Kavaja, qyteti i kryengritjes së parë antikomuniste më 26 mars, e priti me sakrificën e Josif Budos dhe trimërinë e burrave dhe grave të saj diktaturën. Qëndroi e pamposhtur dhe përcolli me dinjitet heroin e vet në banesën e pavdekësisë” u shpreh Berisha.
Ceremonia solli në Shqipëri edhe ish-ambasadorin gjerman në Tiranë gjatë viteve ’90, Werner Daum – njeriun që hapi dyert e ambasadës gjermane për mbi 3,200 shqiptarë më 2 korrik 1990, duke ndihmuar eksodin drejt lirisë.
“Që në vitin 1988 e kuptova se populli shqiptar nuk donte më të jetonte nën shtypje. Shkëndija që ndezi revolucionin për liri erdhi nga Kavaja. Nuk e kam njohur Josif Budon, por ai u bë simbol i qëndresës dhe ndryshimit”, deklaroi Daum.
Për kontributin e tij historik, ish-ambasadori gjerman u nderua me një Certifikatë Mirënjohjeje nga kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja.