Ronald Fenty, babai i këngëtares së njohur Rihanna, ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare pas një sëmundjeje të shkurtë.
Ai ndërroi jetë të shtunën në mëngjes në Los Angeles, sipas medieve nga Barbados, vendlindja e Rihannës. Shkaku zyrtar i vdekjes nuk është bërë ende i ditur.
Burime pranë familjes konfirmuan se të afërmit janë mbledhur në Kaliforni për t’i dhënë lamtumirën e fundit, shkruan PageSix.

Vëllai i Rihannës, Rajad, u pa në qendrën mjekësore Cedars-Sinai, ndërsa besohet se edhe vetë Rihanna ishte e pranishme.
Rihanna nuk ka reaguar ende publikisht. Lajmi vjen ndërsa këngëtarja është në pritje të fëmijës së saj të tretë me partnerin ASAP Rocky.

Marrëdhënia e Rihannës me të atin ka qenë e ndërlikuar ndër vite. Ronald, që vuante nga varësia ndaj alkoolit dhe drogës, u nda nga nëna e këngëtares kur ajo ishte 14 vjeçe. Megjithatë, në vitin 2012, Rihanna deklaroi se e kishte falur dhe kishin rregulluar raportin.
Në vitin 2019, tensionet u rishfaqën kur Rihanna e paditi të atin për përdorimin e emrit të saj për përfitime financiare. Çështja u zgjidh jashtë gjykatës, dhe Ronald pretendoi se ishin pajtuar sërish.
Pavarësisht gjithçkaje, Ronald fliste shpesh me krenari për vajzën e tij dhe rolin e tij si gjysh. Ai e përshkroi Rihannën si një “nënë shumë mbrojtëse” dhe u shpreh se ajo po e shijonte shumë prindërimin. /Telegrafi/