Pas Shqipërisë edhe Maqedonia e Veriut është goditur nga sulme kibernetike.
Faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut prej disa orësh vazhdon të jetë jashtë funksioni për shkak të një sulmi kibernetik.
Në këtë faqe qëndron mesazhi “Sulmuar nga ekipi grek i hakerëve Netwatchers”, ndërsa të gjitha lidhjet e publikuara çojnë në një video në YouTube me titullin “Maqedonia e famshme”.
Nga Ministria e Arsimit thanë se nuk ka hapësirë për t’u shqetësuar, duke shtuar se asnjë bazë e të dhënash të qytetarëve nuk janë të vendosura në këtë faqe.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës është në komunikim me Qendrën Kombëtare CIRT për Incidentet Kompjuterike pranë Agjencisë së Komunikimeve Elektronike, ku është raportuar rasti dhe nga ku presim, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të ndërmarrin veprime konkrete për gjetjen e vendndodhjes dhe burimin e sulmeve. Ndërkohë, shërbimi IT i Ministrisë së Arsimit, me mbështetjen e bashkëpunëtorëve të jashtëm, po ndërmerr veprime për forcimin e sigurisë së faqes së internetit, pas së cilës do të aktivizohet sërish. Nuk ka nevojë të shqetësoheni për shkarkimin e supozuar të disa bazave të të dhënave të qytetarëve, sepse nuk ka baza të tilla të dhënash në faqe dhe e njëjta ka karakter informativ”, thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Kjo nuk është hera e parë që faqja e internetit e Ministrisë së Arsimit ballafaqohet me sulme të tilla. Në muajin gusht nuk funksionoi kjo faqe, ndërkohë që në të njëjtën periudhë nën sulm kibernetik ishte edhe sistemi elektronik i mbështetjes IKnow i Universitetit “ Shën Kirili dhe Metodi”.
Gjithashtu, në shkurt të këtij viti, faqet e Ministrisë së Arsimit, të Punëve të Jashtme, të Qeverisë dhe të Bankës Popullore ishin në shënjestër të sulmeve nga persona që pretendonin të ishin pjesë e grupit grek të hakerëve “Powerful Greece” në Twitter./Alsat.mk