BallinaLajmeMustafa për Kurtin e Osmanin: Kafjall e drekë e kanë Rusinë, Kinën...

Mustafa për Kurtin e Osmanin: Kafjall e drekë e kanë Rusinë, Kinën e Serbinë, sikur ne të ishim qendra e botës

Deklarata e djeshme e kryeministrit Albin Kurti se situata mes Kosovës dhe Serbisë mund të përshkallëzohet në konflikt të armatosur, ka nxitur reagime të shumta.

Përveç liderëve aktual të opozitës, Kurtit për këto deklarata i ka reaguar edhe ish-kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe ish-kryeministër i vendit, Isa Mustafa, i cili ka hedhur akuza të rënda në drejtim të Kurtit për deklaratat e fundit.

Në një prononcim për lajmi.net, Mustafa ka deklaruar se ashtu si kryeministri Kurti, edhe presidentja Vjosa Osmani janë të prirur të ndjellin luftë më shumë sesa të promovojnë paqen.

“Që nga ardhja në pushtet flasin vetëm për luftën, thuaj se lufta nuk ka përfunduar. Kryeministri dhe Presidentja, kaftjall e drekë e kanë Rusinë, Kinën, Serbinë. Sikur ne të ishim qendra e botës, ku do të fillojë “Dita e Kijametit”. Shumë më shumë janë të prirur të ndjellin luftë sesa të promovojnë paqe. Prandaj ata që ndjellin luftë, ta sjellin Serbinë te dera”, ka deklaruar Mustafa.

Ndër të tjerash, Mustafa ka thënë se nuk është interesi i Kosovës lufta me Serbinë, por zgjidhja e problemeve me paqe dhe dialog.

Ai ka thënë se “nëse Kurti është i interesuar për luftë, atëherë le ta sjellë edhe familjen e tij në Kosovë”.

“Interesi i Kosovës nuk është lufta as përmendja e saj. Është zgjidhja e problemeve me paqe e dialog. Kryeministri, nëse përnjëmend llogaritë në luftë dhe do luftë atëherë le ta sjellë edhe familjen e tij në Kosovë që të bëhet më i përgjegjshëm për vendimet e tij dhe diskursin e tij”, ka përfunduar Mustafa.

Ish-kryeministri Mustafa ka deklaruar se Qeveria e drejtuar nga Kurti është qeveri e dhunës dhe se nuk dallon shumë prej rusëve sa i përket dhunës.

“Kjo është qeveri e dhunës. Me dhunë, gurë, gaz lotësjellës, bomba molotovi, granata ka ardhë në pushtet. Jo me punë dhe merita qeverisëse. Edhe aty ku ka qeverisur ka dështuar, si Prishtina dhe Prizreni. S’dallon shumë prej rusëve sa i përket dhunës. Ata po ia vëjnë flakën Ukrainës, këta ia vënin flakën institucioneve të Kosovës për ta rrëzuar pushtetin demokratik. Duan të themelojnë ushtri paralele dhe organe paralele të drejtësisë. “Kushtetutë e pa Kushtetutë” (mësim i keq dhe fatal).”, ka thënë ai.