Avdullah Hoti e Enver Hoxhaj përveç që janë pjesë aktive e politikës ditore, ata kanë edhe një të përbashkët: janë profesorë në Universitetin e Prishtinës.
Përkundër që Hoxhaj ka mbi një dekadë që nuk shkon për të ligjëruar, në Fakultetin Filozofik të kadetrës Shkenca Politike, një zyrë pranë këtij departamenti vazhdon të jetë në dispozicion të tij, e të mos shfrytëzohet nga askush.
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti deri me 1 tetor të 2020 nuk e ka pezulluar aktivitetin e tij në UP. Deri në këtë kohë, ai është paguar dhe ka vazhduar të mbaj ligjërata kohë pas kohe me studentët e tij.
Në një përgjigje të dekanit të Fakultetit Ekonomik, Fatos Ukaj, dhënë për Syri.net, thuhet që Hoti pas datës 1 tetor i 2020 nuk ligjëron dhe nuk paguhet.
“Ju informoj se prof.Dr.Avdullah Hoti me kërkese të tij e me vendim nga UP ju ka pezulluar përkohësisht të drejtat dhe obligimet nga marrëdhënia e punës ne UP, gjegjësisht në Fakultetin Ekonomik. Nga data 1 tetor .2020. Rrjedhimisht edhe nga ajo datë nuk ligjëron dhe nuk paguhet.” – thuhet në përgjigjen e dekanit Ukaj, dërguar Syrit.
Ndërsa, nga zyra për informim e Fakultetit Filozofik, në përgjigjen e dhënë Syri.net Kosovës, thuhet që Enver Hoxhaj vazhdon të jetë pjesë e stafit të rregullt, duke u thirrur në rregulloren e nxjerr nga Rektorat, i që i garanton ruajtjen e vendit të punës, kur merr një pozitë të lartë publike.
“Profesori Enver Hoxhaj është staf i rregullt i Fakultetit Filozofik dhe si i tillë pasqyrohet, meqenëse zyrtarëve të zgjedhur në pozita të larta publike, u ruhet vendi i punës. Pra, edhe pse nga pikëpamja e angazhimit në Fakultetin Filozofik, përkatësisht Universitetin e Prishtinës, profesorët në të tilla pozita mund ta pezullojnë pozitën e tyre apo të mbajnë vetëm një numër të caktuar orësh, vendi i tyre i punës ruhet deri në kryerjen e mandatit/eve.”
Më tej, në përgjigjen e tyre, thonë që Hoxhaj nuk është paguar meqenëse nuk ka qenë i angazhuar në mësimdhënie.
“Po ashtu, sipas vendimit përkatës të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, stafi akademik paguhet vetëm për orët e mbajtura dhe për momentin profesori Enver Hoxhaj nuk është i angazhuar në mësimdhënie. Profesori Enver Hoxhaj është pjesë e listës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të datës 14 shkurt 2021 dhe ka njoftuar me kohë angazhimin e tij në këto zgjedhje”.
Mirëpo, nuk është vetëm Hoxhaj që ruan vendin e tij të punës në UP, janë edhe disa politikanë të tjerë të cilët, fare pak ose farë nuk shkojnë në ligjërata, e njëri nga ta është edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa.
Ndaj Mustafës pati reaguar edhe organizata për monitorimin e universiteteve publike në Kosovë “Demokracia Studentore”, ku akuzuar Isa Mustafën se prej katër vitesh merr pagë si profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, pa qenë në ligjërata asnjëherë.
Kjo organizatë ka reaguar duke kërkuar nga rektori i UP-së, Naser Sahiti që të merr masa ndaj Mustafës.
“Isa Mustafa më shumë se katër vite merr rrogë në Fakultetin Ekonomik pa mbajt asnjë orë mësim”, thuhej në reagimin e tyre.
Ky fenomen për mosvijueshmërinë e rregullt në mësimdhënie nëpër universitete publike, eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci në një prononcim për Syri Kosovën, shprehet se të gjitha figurat publike që kanë funksione publike nëpër institucione të larta, po e shfrytëzojnë statusin e UP-së.
Ai konsideron se kjo gjë duhet të ndryshojë dhe të përcaktohet një afat kohor sa mund t’i ruhet ky vend i punës.
“Statuti i UP lejon ruajtjen e vendit të punës jo vetëm për politikanët por edhe njerëzit të tjerë, të cilët gjejnë punë në sektorin publik. Kjo është një anomali e këtij dokumenti, i cila është i tillë nga viti 2012 kur është aprovuar ky ndryshim në statut. Prandaj këtë po e shfrytëzojnë bartësit e funksioneve të institucioneve publike, duke ruajtur vendet e tyre ose vazhdojnë derisa e bartë funksionin në institucione të punojnë me gjysmë page. Konsiderojë që kjo gjë duhet të ndryshohet, pra unë mund të them që njeriu që bartë një funksion publik, e ngrin vendin e punës, por nuk është në rregull që në të njëjtën kohë të jetë edhe bartës i postit publik edhe të vazhdojë punën në institucion të arsimit të lartë. Prandaj edhe ajo ngrirje duhet të ketë një limit kohorë, diku 3-4 vjet e jo për shembull, 12 e 14 vjet siç kemi raste në UP”.
Tutje, Popovci shton se bartësit e posteve publike po bëjnë abuzime me fondet publike, duke mos u angazhuar rregullisht në ligjërata, ata po dërgojnë asistentët e tyre.
“Ajo që është problem tjetër këtu është se bartësit e posteve publike nuk janë të rregullt në ligjërata për shkak të angazhimit të tyre, është fenomen të dërgojnë asistentet e tyre për të ligjëruar. Kjo nuk është aspak në rregull, pasi është një abuzim me fondet publike, pra thjeshtë duhet në raste të tilla ata njerëz të shkëputën nga universiteti për periudhën sa e mban postin publik. E pasi ta kryejnë atë të kthehen atë, e nëse dëshirojnë ta merren me politikë me dekada atëherë t’i përkushtohen edhe ta lejnë universitetin, kjo është rruga e duhur” – përfundon Pupovci për Syrin.
Këtë dukuri u mundua t’i ndryshojë ish-rektori i UP-së, Rammadan Zejnullahu, kur me anë të një vendimi në dhjetor të vitit 2014, profesorët që bartin poste publike ose poste të larta në Shërbimin Civil nuk mund të paguhen me gjysmë rroge gjatë 12 muajve, siç ishte praktika e deriatëhershme. Ata do të paguheshin me orë mësimore, edhe atë vetëm për orët që i mbajnë, ashtu si veprohet me mësimdhënësit bashkëpunëtorë të jashtëm.
Ky vendim i Zejnullahut u anulua pasi më 12 tetor 2015, Universiteti i Prishtinës u deshtë ta zbatojë vendimin e Inspektoratit të Punës të dt. 15 janar 2015 për kthim në listë të pagave të bartësve të funksioneve publike, të cilët ishin larguar nga kjo listë me vendimin e ish-rektorit Zejnullahu.
Kjo pasi, Gjykata e Apelit e hoqi masën e përkohshme të Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën ishte pezulluar përkohësisht vendimi i Inspektoratit derisa të përfundojë kontesti gjyqësor në mes të Rektoratit të UP dhe Inspektoratit të Punës.
Nga ky vendim tani disa ish-ministra e deputetë, por edhe shërbyes civilë, po paguhen rregullisht duke mos shkuar fare në universitet.
Syri Kosova ka kontaktuar zyrën për media të Rektoratit të UP-së në lidhje me shpenzimet që kanë si universitet për këta bartës të pozitave publike, por të njëjtit nuk kanë preferuar të përgjigjen, por, na kanë adresuar në dekanate të fakulteteve përkatëse.