Koalicioni i Organizatave Joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka shpalosur planin për monitorimin e fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit, njofton Klan Kosova.
Ky koalicion në një konferencë për media njëherësh iu ka bërë thirrje partive politike që të bëjnë fushatë të qetë e cila zhvillohet mbi një frymë konkurruese.
Eugen Cakolli nga “Demokracia në Veprim” ka përmenduar rastet e ndodhura së fundmi në Mitrovicë dhe Skenderaj.
“Në këtë drejtim DnV vlerëson edhe incidentet e ndodhura së fundmi veçanërisht gjatë vizitës së ushtrueses së detyrës së presidentes dhe kandidatit të subjektit politik, Lëvizja Vetëvendosje për kryeministër të vendit ku gjatë një aktiviteti të zhvilluar në pjesën veriore të vendit por edhe në komunën e Mitrovicës së jugut dhe poashtu aktivitetin e djeshëm të këtij subjekti në Komunën e Skenderajt ka pasur incidente të cilat ne si Demokraci në Veprim i vlerësojmë si krejt të papranueshme dhe të dënueshme sipas dispozitave ligjore”.
“Ne kërkojmë që subjektet politike pavarëisht etnisë apo orientimit të tyre politik tu garantohet e drejta e lëvizjes së lirë në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe të kenë mundësi që përmes shpalosjes së parimeve ose orientimeve programore të tyre të zhvillojnë fushatën e tyre të qetë”.