Shkruan HYSNI MEHANI
Pas 15 vieteve sundim nga sulltani S, me anë të një marrëveshje sundimi do t’i kalonte sulltanit N, pasiqë të dy këta rrjedhnin nga i njëjti trung familjar. Ndërrimi i fronit ishte bërë i mundur pasi që sulltani N i kishte lënë radhën të kandidojë për deputet princit M, djalit të madh të sulltanit S. Në ndërkohë që sulltani N po bëhej gati ta merrte fronin, pak para kurorëzimit perandor, në skenë u rishfaq sulltani S, i cili siç duket ishte penduar dhe provoi ta prishë marrëveshjen që e dërgonte sulltanin N në fron. Por sulltani N i kujtoi sulltanit S se ai i kishte lëshuar pé djalit të tij, princit M, që të bëhej deputet, dhe, nuk i takonin të dyja postet vetëm hises së tij. Situata u acarua shumë mes dy sulltanëve, thuhet se gjendja ishte para shpërthimit. Për ta qetësuar situatën u arrit një marrëveshje që do t’i lënte të dy sulltanët pa fron, fronin do ta merrte B-bej.
B-bej rrjidhte nga një familje e respektuar nga të gjithë, familje kjo që me sakrificën e saj ishte bërë gurëthemel i lirisë së një populli. Dhe, B-bej kurorëzohet pa ndonjë problem në fron. B-bej zotohet se do të jetë prijës i të gjithëve, pa dallim. Gjithashtu, B-bej zotohet se ata që po e shoqërojnë drejt rrugës së fronit nuk do të ishin në stafin e tij. Me të marrë fronin, B-bej ndërron fjalët! Merr për zëvendës të tij sulltanin N, por edhe të gjithë ata që e shoqëruan drejt fronit. Një pjesë e mbështesëve të flakët të sulltanit S, kur panë se ai mbeti pa pushtet, i kthyen shpinën. Ata që i kishte rritur në hierarki vetë sulltani S, tash ishin armiqtë e tij kryesorë. Ndër më të zëshmit ishte veziri i dytë me nofkën Kam…., i cili kishte duruar gjatë sulltanin S dhe po priste momentin ta godiste pas shpine.
B-bej së bashku me sulltanin N dhe vezirin e dytë Kam….. ia morrën gjysmën e ushtrisë sulltanit S. Ndër më besnikët e sulltanit S rezultoi të ishte veziri i parë Fad…, të cilin sulltani S e kishte bërë zëvendës dhe ia kishte besuar të gjitha punët administrative meqenëse ishte i bindur se ai nuk kishte guxim për të shkelur ligjin, por edhe ishte tepër i dëgjueshëm kur i kërkohej ta shkilte ligjin nga vetë sulltani S. Më vonë rezultoi se veziri Fad.. ishte ndër më të guximshmit, pasi që koordinonte ushtrinë e mbetur pa prijës, por edhe replikonte nga distanca me pashallarët e rinj në fron. Një nga rastet kur veziri i parë Fad… replikoi më ashpër ishte ndarja e tokës për një stacion nga sundimtarët e rinj. Veziri Fad… besonte se qytetarët kishin harruar kohën kur ai shpërdoronte pronat pubilke, tash aktronte prijësin që brengoset për pronat pubilke.
Në anën tjetër, pashallarët e rinj krijuan një harem të madh, punësuan të afërmit e tyre dhe ishin shumë të rreptë ndaj çdo mendimi kritik që cënonte pushtetin e tyre. Ata përndjekjen opozitarë, ndalën kamerat nëpër mbledhje dhe kërcënuan gazetarë. Të gjithë këtë situatë po e vështronte me kujdes sulltani S, i cili shpresonte në rikthim, pasiqë besonte së qytetarët do harronin të bëmat e tij kur t’i shohin të bëmat e pushtetarëve aktualë. Thellë-thellë ai e dinte se nuk ndryshon asgjë nga ata, në mos ishte edhe më i keq, por shpresat i kishte varur në harresën e qytetarëve. Mes dy të këqijave qytetarët do të zgjidhnin atë që u duket më e largët, besonte ai.
Sulltanët po vazhdonin me planet se si ta luftonin njëri-tjetrin, pasuri kishin bërë mjaftë, por pasuria pa lavdi nuk u duhej gjë. Shumë vite luftuan që ta kishin këtë pasuri, tash që e kishin në duar, do ta jepnin të gjithën për ta kthyer lavdinë e vitit ’99’. Dhe, në një ditë me diell, kthyen kokën për të parë çfarë kishin lënë pas, panë një qytet që po zbrazej nga sundimi i egër i tyre, panë një qytet pa biznese të zhvilluara, një shëndetësi rrënuar nga një i afërm i tyre drejtor, por edhe një arsim të shpërfytyruar nga nepotizmi që ata e kishin instaluar. Panë edhe vetën në pasqyrë, kuptuan që nuk ishin më ata të vitit ’99’, thellë në shpirt u rrënuan edhe ata, dhe, ashtu të rrënuar u betuan se luftën do ta vazhdojnë deri në frymën e fundit, por jo në frymën e tyre, në frymën e fundit të qytetit që i rriti.
Ngjarja është zhvilluar nën mendësinë e 500 vieteve më parë….
Tregimi vazhdon pas 2 viteve….