BallinaOpinioneKosova është e vërteta e Serbisë

Kosova është e vërteta e Serbisë

Albin Kurti mbrëmë ishte i ftuar në studion e emisionit politik “Open” në Top Channel përballë gazetarëve të Shqipërisë. Nuk do ta kisha shkruar asnjë fjalë për këtë intervistë pasi, tashmë, pak gjëra të reja, të pathëna kemi nga intervistat e tij të shumta qysh nga momenti kur Vetvendosje! fitoi zgjedhjet në Kosovë. Por, një moment mjaft interesant nga debati i mbrëmshëm, kur gazetarët Çili dhe Dudushi po i kërkonin hesap pse nuk e  mbështeste Marrëveshjen e projektuar të Minishengenit, të promovuar me bujë nga Kryeministri i Shqipërisë zoti Rama më mbeti në mendje. Inserti i pregatitur nga gazetarët e emisionit për këtë qëllim ishte një përgjigje e Kryeministrit Rama ndaj kritikëve të Kosovës ku ai thoshte tekstualisht : “ Kush flet për rilindje të Jugosllavisë mbase është i lidhur ende me kujtimet e ish Jugosllavisë, unë nuk kam asnjë kujtim nga Jugosllavia”.

Albin Kurti, në fakt, ka qenë më i kujdesshmi ndër faktorët politikë të Kosovës që janë deklaruar për këtë marrëveshje. Përkundër deklaratave të forta të Isa Mustafës por, çuditërisht këtë radhë, edhe të Presidentit Thaçi, Kurti deklaronte që përpara se të diskutonte me Vuçiçin, Kryeministri i Shqipërisë duhej të priste formimin e Qeverisë së re të Kosovës dhe të shkohej atje me një qëndrim të njësuar. Me shumë kujdes e argumentoi që kjo marrëveshje e bënte përfituese ekonomike  së pari Serbinë në raporte krejt disproporcionale dhe ai pranonte të ulej në tavolinë me Serbinë vetëm në kushtet e reciprocitetit.

Në këtë moment gazetarin Dudushi nuk po e zinte vendi. Përpëlitej në karrige sa majtas djathtas, shihte telefonin, rrudhte ballin, ishte zbehur dhe gjuha e trupit ia tregonte padurimin për të kundërshtuar. Kur e mori fjalën, aq shumë u shtrëngua dhe e intensifikoi të folurën e shoqëruar me duar sa e detyroi Kurtin t’i tërhiqte vëmendjen : “Veç mos u nervozo, merre me qetësi”…

Pas gjithë këtij pasioni të gazetarit për marrëveshjen, Albini u detyrua të përmendte disa të vërteta të tjera: “Vuçiç ka qenë Ministër i Millosheviçit. Në Kosovë ne i kemi 10 mijë civilë të paarmatosur e të pambrojtur të vrarë. Alban, na i kanë vra 1 mijë fëmijë! Kosova është e vërteta e Serbisë”.

Në këtë moment drejtuesja e emisionit e ndërpret me një “Ok” por Kurti vazhdon.

Do të ndalem veçanërisht te ky moment i intervistës. Dua ta bashkoj me thënien e mësipërme të Kryeministrit Rama “unë nuk kam asnjë kujtim nga Jugosllavia”.

Shqiptarët e Shqipërisë e kanë fort të thjeshtë të japin receta, ata nuk kanë kujtime nga Jugosllavia. Fatos Nano takohej në Kretë me papion me Millosheviçin sepse nuk kishte kujtime nga Jugosllavia, Rama e quan mik Ministrin e Propagandës së Millosheviçit pikërisht se nuk ka kujtime nga Jugosllavia. Por shqiptarët e Kosovës kanë kujtime të tmerrit nga Jugosllavia prandaj nuk e kanë aq të lehtë… Vrasësit, përdhunuesit dhe masakruesit e tyre janë figura publike në Serbi (zemrën e ish Jugosllavisë). Nuk është e kolljatë për ta të takojnë Aleksandër Vuçiçin, Ministrin e viteve të tmerrit 1998 -2000, me aq xhentilesë e batuta sa e takon Rama.

Ai është agresori, xhelati, përdhunuesi, katili ndërsa Kosova është martirja, e poshtëruara, viktima.

Kosova është e vërteta e Serbisë. Në mes Kosovës dhe Serbisë janë 20 mijë të përdhunuara, 10 mijë civilë të pambrojtur të vrarë e 1000 fëmijë të vrarë. Si mundet kaq kollaj t’a tejkalojmë këtë hendek? Në histori, 20 vjet janë hiçmosgjë, viktimat e përdhunimit serb në Kosovë janë akoma gjallë, varret e të afërmve të vdekur nuk dihen, mijëra të zhdukur pa llogaritur të vrarët që e kanë një varr. A mendon kush se si do ndihen ata nga takimet miqësore të Kryeministrit të Shqipërisë me Gëbelsin e Millosheviçit?

Ata nuk llogariten, madje ndonjëherë shihen si pengesë në prespektivën e mardhënieve shqiptaro-serbe. Mustafa Nano, një gazetar i njohur në Shqipëri, përpara një a dy vitesh deklaronte: “Kosova është gjylja e madhe në këmbë të mardhënieve shqiptaro-serbe”.

Teza të tilla, kaq tolerante e paqësore me gjakësorin, e gati bezdisëse për viktimën, kurrsesi nuk mund të vijnë nga Shqipëria. Pikërisht sepse ata që i artikulojnë nuk kanë kujtime, nuk kanë në familje motrën, nënën gruan ose vajzën e përdhunuar. Ata duhet të heshtin në respekt të kujtimeve të tmerrshme të viktimave të Kosovës.

Më e shumta që mund të bëjnë është të flasin me faktorin politik të Kosovës përpara se të takojnë kriminelin. Janë vetëm faktorët politikë të zgjedhur të Kosovës që zgjedhin se si të komunikojnë me përfaqësuesit e Serbisë.

Dostojevski te Vëllezërit Karamazov thotë “Nëna nuk ka të drejtë të falë kriminelin që i copëtoi të birin. Ajo mund t’ia falë atij vuajtjet e saj të tmerrshme prej nëne por kurrsesi vuajtjet e të birit. Ato ajo nuk ka të drejtë t’ia falë”.

Opinion nga Ermal Mulosmani