Kandidati për deputet të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mustafa Grainca ka deklaruar se nga rezultatet e marra preliminare në komunën e tij në Ferizaj, rezulton se nuk është pranuar si i denjë për të qenë pjesë e kësaj gare.
Grainca, ka thënë gjithashtu se ky fakt e obligon moralisht që prej sot të mos jetë më pjesë e strukturave udhëheqëse në degën e PDK-së në Ferizaj.
“Përshëndetje të nderuar qytetar ferizajas, nga rezultatet e marra preliminare për mua si kandidat për deputet (rezultatet në komunën time), rezulton se nuk jam pranuar si i denjë për të qenë pjesë e kësaj gare. Rrjedhimishtë ky fakt më obligon moralisht të marrë vendimin, se që nga sot të mos jemë më pjesë e strukturave udhëheqëse në degën e Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj.
Do të vazhdojë të përkrahi konceptin programor të Partisë Demokratike të Kosovës, për të cilin tash e 20 vite, u angazhova me tërë kapacitetin tim për të ngritur e lartësuar vlerat e saja kudo dhe në çfardo përgjegjësie publike që kisha.
Respekt!”, shtoi tutje Grainca.
Ndryshe tashmë kanë filluar që të shfaqen edhe listat e votave për kandidatë që synonin ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Bazuar në rezultatin preliminar të KQZ-së 98.47 për qind të votave, PDK-ja është e treta në renditje me 21.25 për qind apo 167402 vota. VV-ja prin me 25.51 për qind, ndërsa LDK-ja ka 24.82 për qind. /Gazeta Blic/