Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka pritur sot në takim Ministrin e Shëndetësisë të Republikës Federale të Gjermanisë, Jens Spahn.
Të dy ministrat ranë dakord të përshpejtojnë zbatimin e reformave që përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve duke rritur bashkëpunimin midis dy vendeve në sektorin shëndetësor, njofton Klan Kosova.
Me këtë rast, ministri Ismaili dhe ministri Spahn kanë nënshkruar Deklaratën e parë të Përbashkët në histori në mes të dy vendeve për bashkëpunim në shëndetësi.
Sigurimi shëndetësor, rritja e kapaciteteve menaxhuese në spitale përmes asistimit të ekspertëve gjermanë, kualifikimi i profesionistëve shëndetësorë, si dhe mbështetja e akreditimit dhe certifikimi i stafit shëndetësor janë pikat kryesore mbi të cilat do të orientohet bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.
“Është një ditë historike për Kosovën ngase kjo është hera e parë që nënshkruajmë deklaratë të tillë me Gjermaninë. Gjermania, një ndër shtetet më të fuqishme në Europë, është aspirata dhe pika e jonë referente për sistemin tonë shëndetësor. Kjo marrëveshje do të na ndihmojë që të zhvillojmë një sistem shëndetsor modern dhe të qëndrueshëm që i mbron qytetarët tanë nga varfëria”, ka thënë Ismaili.
Ai tha se zotimi që ka marrë sot nga Qeveria gjermane prek pikërisht dy ndër pikat më kyçe të sistemit shëndetësor kosovar: menaxhimin spitalor dhe sigurimet shëndetësore.
“Më konkretisht presim që tash e tutje në baza të rregullta të shkëmbejmë ekspertizën, informacionin dhe përvojat e nevojshme në lidhje me organizimin, strukturën dhe reformat në fushën e shëndetësisë. Kemi krijuar një bazë të fortë ku shkëmbimet profesionale në sektor janë të lehta dhe mirë të organizuara”.
Ismaili shtoi se si shtet i ri që ka vuajtur nga mungesa e investimeve, Kosova duhet që shëndetësinë e saj ta projektojë dhe ndërtojë me mjetet më moderne të këtij shekulli.
“Pra, Gjermania, jo vendet e ish-Jugosllavisë, duhet të jetë modeli dhe vizioni ynë për 50 vitet e ardhshme”.
Në anën tjetër, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka ranë dakord, se Deklarata e Përbashkët e Qëllimit fokusohet në tema me rëndësi për të dy vendet.
“I lumtur që po mundësohet një bashkëpunim në kuadër të sigurimeve shëndetësore. Deklarata e Përbashkët gjithashtu krijon një hapësirë për bashkëpunim në lidhje me përmirësimin e cilësisë dhe standardit të infermierisë në Kosovë, si dhe certifikimin e tyre”.
Vizita e ministrit gjerman Spahn në Kosovë vjen pas takimit që ministri Ismaili kishte me të në Berlin vitin e kaluar. Kjo është hera e parë një ministër gjerman i shëndetësisë viziton Kosovën. Në të njëjtën kohë, kjo vizitë nis edhe formalisht bashkëpunimin në mes të dy vendeve në fushën e shëndetësisë