Pas miratimit në Qeveri të nismës për transformimin e FSK’së në Ushtri, kryeministri Ramush Haradinaj thotë se nuk ka gjasa që dikush në Kosovë të jetë i befasuar nga ky veprim, pasi ka kohë që po diskutohet një gjë e tillë. Kështu ai i është kundërpërgjigjur habisë së presidentit Hashim Thaçi, i cili në një konferencë për media të mbajtur pak më parë tha se nuk ka njohuri për ndonjë nismë të tillë, raporton Periskopi.
Sipas të parit të Qeverisë, Kosova nuk është aq e madhe që njëri prej liderëve kryesor të mos e dijë se çka po ndodh.
“Nuk është Kosova aq e madhee që na mos me dit çka po ndodh. Naj detaj ka mujt me i ik. Ne i kemi paraqit pikëpamjet tona. Nuk është askush i befasuar, kërkon nuk e kemi zënë në befasi, as faktor vendor, as ndërkombëtar. Kosova e zbaton të drejtën e vetë. Ne nuk i bëjmë këto veprime, pa bërë kalkulime”, ka deklaruar Haradinaj në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë.
Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se ai nuk është në dijeni nëse dikush ka marrë një iniciativë së fundmi për të proceduar në Kuvend ligjin për shndërrimin e FSK’së në ushtri.
“E para për këtë propozim nëse është e vërtetë, presidenti i Kosovës nuk është i informuar. Nuk besoj se janë të informuar as partnerët tanë, por nëse është e vërtetë do të njoftohem në minutat e ardhshëm. Propozimi im dallon nga rrethanat aktuale, kur unë kam propozuar, ka qenë një mbështetje e plotë e SHBA’së dhe NATO’s në vitin 2014. Për shkak të egove elektorale nuk kemi arritur ta procedojmë në Kuvend. Tani rrethanat janë ndryshe, ne kemi filluar bashkë me bashkësinë ndërkombëtare një proces të vetëdijesimit dhe kemi arritur në një fazë shumë të rëndësishme të koordinimit sepse kur themelohen Forca e Armatosura të Kosovës duhet të jenë të mirëpritura dhe jo ndonjë veprim kokë në vete dhe me ia lëndu rëndë misionin multi-etnik të FSK’së. Procedimi i ditës sot është i gabuar, me këtë mëngjes t’ua dërgojmë miqve tanë këtë porosi sot. A kemi të drejtë të kemi ushtri, kemi të drejtë, por duhet ta bëjmë në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë ai./Perskopi