Pas përfundimit të turit të llogaridhënies publike, pritet që Partia Socialiste të mbledhë Asamblenë, por ende nuk ka një datë zyrtare për të diskutuar rezultatet dhe punën e bërë nga zyrtarët.
Ankesat e qytetarëve dhe shfaqja skeptike e Holandës për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, kanë rritur ankthin në radhët e tyre, pasi pas 28 qershorit kryeministri Rama ka paralajmëruar se do të ketë ndryshime në qeveri.
Sikurse raporton “SOT” ndryshimet në qeveri pritet të shoqërohen me dy faza. E para është faza pas vendimit për negociatat.
Nëse Shqipëria do të marrë hapje me kusht të negociatave kjo do sjellë ndryshime në kabinet me qëllim përmbushjen e kushteve.
Dhe faza e dytë do jetë ajo e shtatorit, e cila do sjellë rifreskim total në kabinetin qeveritar.
Sikurse është thënë më herët të parët që rrezikojnë të largohen janë ministrat që janë emëruar që në mandatin e parë qeverisës.
Gjithashtu ata që rrezikojnë të mos kandidohen janë kryebashkiakët dhe drejtorët e emëruar nga PS, të cilat nuk kanë marrë parasysh ankesat e qytetarëve, dhe kjo pritet të ndodhë gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste.