Gazmend Muhaxheri me gjasë është penduar për akuzat që vite më parë ia kishte bërë Ramush Haradinajt, kur në një bisedë në të përditshmen austriake Der Standard, kishte deklaruar se lideri i AAK-së po fitonte para duke e bërë kontrollin e benzinës dhe lojërave të fatit. Kjo deklaratë i kushtoi Muhaxherit me padi. Por tash, kryetari i Pejës po thotë se u keqinterpretua. Express ka kontaktuar me gazetaren austriake, Adelheid Wolfl, e cila ka treguar se cila është e vërteta e artikullit të vitit 2015.
Në përballjen gjyqësore në mes të Ramush Haradinajt dhe Gazmend Muhaxherit, e cila përfundoi të martën, me mungesën e të dyve në seancë, avokati i kryeministrit Arianit Koci ka sqaruar për Express se çfarë ka thënë në padi kryetari i Pejës për akuzat.
“I padituri, z. Muhaxheri, në përgjigje në padi pohon se, po e parafrazoj, “është keqkuptuar dhe keqinterpretuar. Kjo natyrisht është një tentativë e pasuksesshme për t’u shfajësuar. A po i bjen, sipas z. Muhaxheri, se një gazetë prestigjioze si Der Standard, paska shpifur dhe fyer”, ka pyetur Koci.
Krejt situatën e sqaron vetë autorja e tekstit e cila tregon se a u keqinterpretua realisht zyrtari i LDK-së, në kohën kur u prononcua për gazetën austriake.

“Nëse unë e kam shkruar në artikull dhe e kam cituar z. Muhaxheri, atëherë ai ashtu ka deklaruar”, ka thënë për Gazetën Express, gazetarja e të përditshmes austriake, Adelheid Wolfl, duke e sqaruar shkrimin e saj të vitit 2015 ku e përshkruante gjendjen e pjesës së Dukagjinit dhe fuqinë e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Wolfl ka bërë të ditur se disa media kosovare e kanë bërë një shkrim jashtë artikullit të saj duke e cilësuar atë si një intervistë, për të cilën gjë, ajo thotë se ishte gabim.
“Kështu që unë mendoj se ishte një gabim për mënyrën se si ato media e cituan artikullin”, ka thënë ajo, të mërkurën, për Express.
Ramush Haradinaj në prill të vitit 2015 kishte paditur në Gjykatën Themelore të Pejës, Gazmend Muhaxherin, për veprën penale, “shpifje dhe të pavërteta”.
Padia ndaj kryetarit të Pejës ishte bërë pas disa deklaratave të dhëna në mediet ndërkombëtare, ku kishte akuzuar Haradinajn se “ende po bën para duke kontrolluar biznesin e naftës dhe të lojërave të fatit” në Pejë.
Si kompensim të dëmit material, kryeministri përmes padisë kërkon 250 mijë euro dëmshpërblim nga kreu i Komunës së Pejës. /GazetaExpress/