Koordinatori i PSD-së, Naim Jakaj, ka reaguar ndaj publikimit në media të disa fotografive të tij në një zyre brenda Kuvendit të Kosovës, ku shiheshin edhe cigare të shumta që ishin konsumuar brenda zyrës.
Një grumbull i cigareve të përfunduara, bashkë me shumë kuti të tjera janë mbi tavolinën ku ishte fotografuar Jakaj.
Por Jakaj përmes një reagimi dërguar mediave, ka thënë se zyra ku ai po fotografohej për një ID, nuk ishte e PSD-së, por salla e zakonshme e mbledhjeve të komisioneve.
Ai madje ka thënë se nuk është fare konsumues i duhanit.
“Zyra ku është bërë kjo foto, nuk është e Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate. Është zyrë e zakonshme e mbledhjeve të Kuvendit. Aty kam qenë duke bërë një foto për ID-në e re që do të na bëjë Administrata. Unë nuk mbaj përgjegjësi për sjelljen e personave të tjerë të autorizuar në kuvend për çështje të ndryshme. Unë as nuk e konsumoj duhanin personalisht e lëre më në ambientet e Kuvendit.” ka thënë Jakaj.
Ndërsa gjatë ditës atij i ishin bërë publike këto fotografi.


Por Jakaj në reagim zyrtar të tij ka dërguar fotografitë e plota të sallës ku ai thotë se po realizonte fotografitë.


Ndryshe Ligji për duhanin LIGJI NR. 02/L-36, neni 10, pika 10 është i precizuar në atë formë sa nuk lejon as prezencën e take-tukeve në hapësirat e publike. “Në vendet publike dhe në vendet e punës me pronësi private apo publike ku është e ndaluar pirja e duhanit nuk duhet të jenë të vendosura take-tuket”.