Kurse, ish-shefi i Inspeksionit në këtë komunë, Halim Vrellaku është shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare, duke u dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht.
Por, ky dënim, nuk do të ekzekutohet nëse Vrellaku, nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës njëvjeçare.
I dënuari Vrellaku, sipas aktgjykimit, detyrohet të paguajë edhe shpenzimet procedurale në vlerë prej 100 euro, ndërsa Komuna e Drenasit për kërkesën pasurore juridike u udhëzua në kontest civil.
Gjykatësi i rastit Shashivar Hoti, njoftoi palët se arsyetimin e këtij aktgjykimi do ta marrin në formë të shkruar brenda afatit ligjor, ku do të sqarohen arsyet në mënyrë të detajuara lidhur me këtë vendim.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 gusht të vitit 2017, e kishte dënuar me 10 muaj burg të akuzuarën Hyrije Xhemajlaj-Thaqi.
Kurse, i akuzuari tjetër në këtë rast, Halim Vrellaku për të njëjtën vepër ishte dënuar me një vit burgim me kusht, mirëpo, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohej, nëse në periudhën prej dy vjetësh, ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.
Ndërkaq, të akuzuarin Izet Kukajn, Gjykata e kishte liruar nga akuza për kryerjen e veprës penale “uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”.
Por, Gjykata e Apelit, në shkurt të këtij viti, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim.
Sipas aktvendimit të Apelit, lënda ishte kthyer në rigjykim vetëm sa i përket të akuzuarve Hyrije Xhemajlaj-Thaqi dhe Halim Vrellaku, kurse pjesa tjetër e aktgjykimit mbetet e pa ndryshuar.
Prokuroria Themelore në Prishtinë pretendonte në aktakuzën e saj se, Izet Kukaj, në mënyrë të kundërligjshme e në vazhdimësi ka uzurpuar katin nën kulm në bllokun banesor nr.V, në rrugën “Adem Malaj” dhe “14 Qershori” në Drenas, pronë e komunës së Drenasit, në atë mënyrë që ka hequr kulmin e ndërtesës dhe në këtë hapësirë në sipërfaqe prej 1800 metra katror, ka ndërtuar një kat nën kulm, me gjithsej 14 banesa.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Hyrije Xhemajli-Thaçi, akuzohej se duke qenë në pozitën e drejtoreshës së Inspeksionit Komunal në bashkëpunim me Halil Vrellakun, shef i Inspekcionit, i kanë sjellë fitim të kundërligjshëm organizatës “Elita A” me pronar Agron Kukaj, edhe pse të njëjtit kanë qenë në dijeni se janë bërë ndërtime pa leje./Betimiperdrejtesi.com

