Shkumbin Mehmeti, dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, në një rrëfim ekskluziv në Klan Kosova, ka akuzuar vëllezërit Qerim dhe Ibrahim Kelmendi për organizim të shumë vrasjeve të pasluftës në Kosovë.
Mehmeti ka folur për veprimtarinë e një grupi të njerëzve, që ai ka thënë se kryen disa prej rasteve më të rënda kriminale të pasluftës, përfshirë vrasjet politike.
Mehmeti, që ka thënë se ishte anëtar i këtij grupi, bashkë me vëllezërit Kelmendi, ka thënë se Kelmendët kanë urdhëruar vrasjen e deputetit të LDK-së, Smail Hajdaraj, dhe të Tahir Zemajt.
Ai ka thënë se Kelmendët kanë ngarkuar Florim Ejupin me detyrë për vrasjen e Xhavit Halitit, deputet i PDK-së – por se plani për vrasjen e tij ka ngecur.
Mehmeti ka thënë gjithashtu se vrasja veprimtarit të LDK-së, Xhemail Mustafa, është bërë nga dora e Agron Sylejmanit.
Dëshmitari po ashtu e ka përmendur si të përfshirë në vrasjet e pasluftës edhe vëllain e Lahi Brahimajt, ish-deputet i Kuvendit, nga radhët e AAK-së.
Ai ka përmendur policin Fadil Syleviçi si të përfshirë në shumë vrasje.
Ndonëse fillimisht është menduar se Mehmeti do të flasë i maskuar, ai ka kërkuar që këtë ta bëjë me zë dhe me fytyrë, pa u fshehur.
Mehmeti është i dënuar me 30 vjet burgim, për vrasjen e policëve të UNMIK-ut në vitin 2004. /Express/