back to top
Sunday, September 14, 2025
BallinaLajmePensione edhe për veteranët që punojnë

Pensione edhe për veteranët që punojnë

Të ngjajshme

Rusia provokon sërish, droni i saj hyn në një tjetër vend të NATO

Ministria rumune e Mbrojtjes deklaroi se hapësira ajrore e...

Sony prezanton Xperia 10 VII

Sony ka zbuluar zyrtarisht telefonin e saj më të...

Napoli e merr fitoren e tretë me radhë në Serie A, shkëlqejnë prurjet e reja

Rasmus Højlund shënoi në debutimin e tij pas transferimit...

Tayna shijon ditët e pushimit, tregon anën e saj të dashur

Tayna po shijon ditët e saj të pushimit, larg...

Këshilli për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së po kërkon nga Qeveria që të gjithë veteranëve që janë të punësuar në institucione t’u paguhet 50 për qind e pensionit të veteranit. Por, në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë thonë se 50 për qind të pensionit e marrin vetëm ata që janë të punësuar në sektorin privat, por jo edhe në atë publik

Përfaqësues nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të gjithë veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që janë të punësuar nëpër institucione të shtetit t’u paguhet 50-përqindëshi i pensionit të veteranit.

Por, në anën tjetër, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës po e kundërshtojnë një gjë të tillë.

Xhevdet Qeriqi, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, ka thënë për gazetën “Zëri” se kanë kërkuar që 50 për qind e pensionit t’u jepet edhe veteranëve të cilët janë në marrëdhënie pune. “Ne kemi kërkuar që 50% t’u takojë edhe atyre që punojnë, sepse edhe ata që punojnë kanë dhënë një kontribut”, ka thënë ai.

Qeriqi më tutje tha se nuk pajtohet me Ligjin për Veteranët e Luftës, pasi që Komisioni për Veteranët nuk ka punuar drejt, ku edhe është rritur në masë të madhe numri i tyre që do të marrin pensione nga buxheti i shtetit. “Ne kemi kërkuar një ligj të dijnitetshëm për veteranët e luftës. Sikur të ishte punuar drejt jam i bindur që nuk do të ishte dashur ky buxhet për këto kategori, por do të shpenzohej një buxhet shumë më i vogël. Por, për fat të keq, ka ndodhur kështu. Ne kemi kërkuar të drejta për veteranët e luftës dhe sikur Komisioni të kishte punuar drejt mendoj që as gjysma e këtij buxheti nuk do të ishte shfrytëzuar në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Makolli: Veteranët e punësuar në sektorin privat marrin 50% të pensionit

Në anën tjetër Vesel Makolli, zëvendësministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë për gazetën “Zëri” se veteranët që janë të punësuar në institucione nuk do ta marrin pensionin e veteranit. “Do të jepen pensionet sipas ligjit në fuqi. Ligji e parasheh që pensione të marrin vetëm ata që janë të papunë. Por, është bërë kategorizimi dhe në kategorizim është rritur shuma, përndryshe do të vazhdohet sipas ligjit në fuqi dhe nuk ka ndonjë ndërrim tjetër”, tha Makolli. Ai më tej ka treguar se veteranët që punojnë në sektorin privat i marrin 50% të pensioneve. “Veteranët që punojnë në sektorin privat veç i marrin 50%, kurse ata që punojnë në sektorin publik nuk marrin”, ka konfirmuar ai.

Më tutje Makolli ka treguar se pas kategorizimit që është bërë parashihet edhe rritja e pensioneve të veteranëve, të cilët aktualisht marrin 170 euro. “Kur bëhet kategorizimi në njëfarë forme parashihet edhe rritja”, tha ai.

Gucati: Pensione do të marrin vetëm veteranët që nuk punojnë  

Po ashtu edhe Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, sqaroi se pensione do të marrin vetëm ata të cilët nuk punojnë, pavarësisht rritjes së buxhetit për skemën e veteranëve. “Do të marrin paga vetëm veteranët të cilët nuk punojnë. Mjetet janë ndarë vetëm për veteranët të cilët nuk punojnë, sepse ligji nuk e lejon që të merren dy paga kështu, që paga do të marrin vetëm veteranët të cilët janë të papunë”, ka thënë Gucati për gazetën “Zëri”. Ai më tej tha se nuk e di nëse me rritjen e buxhetit do të ketë rritje të pensioneve. “Nuk e dimë nëse do të ketë rritje apo jo, nuk mund ta japim saktë, nuk e dimë nëse është llogaritur që në bazë të rritjes së buxhetit të ketë edhe rritje të pagave të veteranëve”, tha ai.

 Beqiri: Të mos e rëndojnë buxhetin

Në anën tjetër Lulzim Beqiri, njohës i rrethanave ekonomike në vend, ka thënë se veteranët që janë në marrëdhënie pune nuk duhet ta marrin pensionin e veteranit, pasi listat e veteranëve janë fryrë aq shumë sa nuk ka një numër të saktë se sa veteranë janë. “Ndarja e 73 milionë eurove për veteranët e luftës mendoj që është e papranueshme për situatën aktuale ekonomike në të cilën ndodhet Republika e Kosovës. Jo që nuk e meritojnë veteranët një buxhet të tillë, po për faktin se jemi dëshmitarë të fryrjeve marramendëse të listave të veteranëve, përderisa ende nuk ka një epilog përfundimtar se sa veteranë janë, kjo e komplikon më shumë situatën dhe një ngritje e tillë nuk duhet të votohet nga deputetët e Kuvendit të vendit, ka thënë ai për “Zërin”.

Ai thotë se jodomosdoshmërisht duhet ta rëndojnë buxhetin e shtetit ata që kanë dhënë kontributin e tyre kur kanë pasur mundësi. “Nuk di pse duhet kompensohen ata veteranë që veçse kanë një vend pune, mendoj që nuk është patjetër ta kesh një pagë vetëm pse ke luftuar në një kohë kur ke pasur mundësinë, ky lloj i pagesave do të duhej të pezullohet për aq kohë sa janë në marrëdhënie pune ata veteranë, pasi jodomosdoshmërisht duhet rënduar buxhetin e shtetit, përderisa janë mbi 100 mijë qytetarë në asistencë sociale me një varfëri ekstreme e me një papunësi rekorde”, ka thënë ai.

Gashi: Rritja e buxhetit për skemën e veteranëve, paradoksale

Ndërkaq sipas ekspertit të ekonomisë, Naim Gashi, projektbuxheti për vitin 2018 i propozuar nga qeveria “Haradinaj” është paradoksal, po ashtu edhe rritja e buxhetit për skemën e veteranëve të luftës, që sipas tij do të ketë ndikim negativ në buxhetin për investime kapitale.

Sipas tij, kjo është përqindje shumë e ulët dhe është ndikuar shumë edhe nga skema për veteranët e luftës, që parasheh rritje prej 53 në 73 milionë euro. “Vetëm 36 për qind e buxhetit është dedikuar për investime kapitale. Duhet të rritet përqindja për investime kapitale, që gjenerojnë fitim afatgjatë dhe krijim më të madh të vendeve të reja të punës. Pjesa tjetër do të shkojë në mallra, shërbime, paga dhe mëditje. Minimumi duhet të ishte të paktën 40 për qind, ne insistojmë që të jetë 50 për qind. Ka ndikuar edhe buxheti i dedikuar për skemën e veteranëve, që është rritur nga 53 milionë në 73 milionë euro. Për viktimat e dhunës ka buxhet vetëm një milion euro”, ka thënë ai.

Maloku: Ligji për Veteranët, i gabuar

Ndërkaq Naim Maloku, ekspert i sigurisë, konsideron që Ligji për Veteranët në Kosovë është i gabuar. Pasi, sipas tij, pensionin e veteranit do të duhej ta merrnin të gjithë ata që kanë dhënë kontribut pa dallim nëse është në marrëdhënie pune apo jo, pasi, siç thotë ai, kështu është e rregulluar kjo çështje në vendet tjera. Maloku thotë se Qeveria po e ngatërron çështjen e papunësisë me veteranët e luftës. “Në vendet tjera është e rregulluar në atë mënyrë që një shumë e caktuar u ndahet të gjithë veteranëve pavarësisht nëse punojnë apo jo”, tha ai./ZERI.INFO/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz