Sot, Valdete Idrizi, kandidate e PDK-së për kryetare të komunës së Mitrovicës, ka zhvilluar takime dhe bashkëbisedim në disa fshatra të Shalës së Bajgorës.
Në këtë bashkëbisedim, Idrizi ka theksuar se ndjehet krenare si bijë e Shalës që do t’i prijë komunës emblematike të Kosovës, të njohur në botë për industrinë e saj, Universitetin, kulturën, muzikën, sportin.
Ajo theksoi se qytetari tashmë është deklaruar për ndryshim.
Valdete Idrizi, ka prezantuar para qytetarëve edhe projektet e saj për rajonin e Shalës.
I pari, ka theksuar ajo, është projekti për përpunimin e kristaleve të Trepçës, për të vijuar me projektin për përkrahje dhe promovimi i prodhimeve vendore, ndërtimi dhe renovimi i ambulancave në fshatrat e Shalës, ofrimi i shërbimeve shëndetësore shtëpiake dhe autoambulanca të destinuara për Shalë.
Idrizi është ndalur te programi bujqësor, duke u zotuar se do të krijoj brendin “Shala” në bujqësi.
“Brendi “Shala” do të krijohet me angazhimin e disa sektorëve, duke e bërë të njohur këtë zonë për prodhimet blegtorale e bujqësore, frutat e malit dhe bimët mjekësore, specifike për këtë anë”, ka theksuar Valdete Idrizi, dhe ka shtuar se këto do të jenë mundësi e mirë për punësim dhe ndaljen e shpërnguljes nga Shala e Bajgorës.
Kompleksi turistik “Peisazhi i mbrojtur Stanterg”, Qendra inovative për mbështetjen e bizneseve të reja, ka theksuar Idrizi, do të ofrojnë po ashtu mundësi të mirë për punësimin në këtë anë si dhe përkrahja për gratë në biznes.
Ajo theksoi se përkrahja e grave dhe vajzave do të bëhet me subvencione e donacione, për projektet e vogla për punëdore, thurjen e veshjeve kombëtare, stolive dhe përgatitjen e ushqimeve tradicionale.
Ajo u zotua po ashtu se në Shalë do të rregulloj shtigjet për skijim, ecje dhe çiklizëm, duke e bërë Shalën destinacion atraktiv për vendin dhe më gjerë.
Ndërsa sa i takon çështjes së transportit, është zotuar që do të bëj organizimin e tij, për të gjitha fshatrat e Shalës, për këtë theksoi Idrizi ka mbështetje edhe jashtë buxhetit të komunës.
Idrizi ka theksuar se do të kryej asfaltimin e rrugëve në zonat e banuara, me trotuar dhe ndriçim.
Po ashtu, ajo është zotuar se do të bëj shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit dhe të kanalizimit në këtë pjesë të komunës së Mitrovicës.
Qytetarët theksuan se askush më mirë se një shaljane nuk i di nevojat e Shalës, duke shprehur gatishmëri të plotë për ndryshim me 19 nëntor, kur do t’i thuhet stop ngecjes, keqqeverisjes dhe degradimit të pushtetit lokal dhe kryetarit në ikje.

