Pas dënimit të shqiptuar nga Gjykata e Shkupit ndaj “Grupit Kumanova” kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar hetim ndërkombëtar, shkruan sot, gazeta Zeri
Të revoltuar me dënimin e pjesëtarëve të “Grupit të Kumanovës”, nëntë prej të cilëve nga Gjykata e Shkupit u dënuan me burgim të përjetshëm, të premten, në Prishtinë, familjarë të të dënuarve dhe qytetarë kanë protestuar duke kërkuar lirimin e tyre.
Protestuesit me flamuj kombëtarë dhe me këngën “Besa-Besë” janë mbledhur fillimisht në sheshin “Zahir Pajaziti”, derisa kanë vazhduar me pankarta në duar “Pa liri s’ka qetësi”, “Maqedoni s’ke të ardhme, as histori”…, deri para Ambasadës Maqedonase në Prishtinë.
Protesta është organizuar nga grupi i tifozëve “Plisat”, kurse në të kanë marrë pjesë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës nga lëvizja “Vetëvendosje”.
Melisa Zekaj, vajza e të dënuarit me burgim të përjetshëm, Valdet Zekaj, ka thënë se institucionet nuk kanë bërë asgjë për lirimin e “Grupit Kumanova”.
Ajo ka thënë se dënimi i babait të saj me burgim të përjetshëm, si dhe të tjerëve me 40 vjet apo më pak, është i padrejtë.
“Të gjithë kanë marrë dënime të këqija. Nuk mund ta krahasojmë asnjë dënim, sepse të gjitha dënimet janë të padrejta. Nuk kemi pritur të dënohen kaq shumë. Kemi pritur që institucionet shqiptare si në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni të marrin masa”, ka thënë ajo.
Sipas saj, nuk mjafton që krerët e institucioneve të Kosovës të dalin vetëm me deklarata, por ajo konsideron se duhet të veprojnë diçka. “Duhet të veprohet dhe duhet të shkojë rasti në rigjykim”. Zekaj ka thënë se babai i saj ka shkuar në Maqedoni për ideal kombëtar dhe nuk kanë pasur qëllime të tjera. Zekaj tha se protesta është organizuar nga “Plisat”. “Qëllimi ynë është që t’u tregojmë që jemi ende gjallë dhe duhet bërë diçka për ta. Institucionet shqiptare s’kanë bërë asgjë për ‘Grupin e Kumanovës’. Ne do ta kërkojmë lirimin e tyre”. Pasi që Policia e Kosovës nuk i ka lejuar që të protestojnë para Ambasadës së Maqedonisë në lagjen “Arbëria”, protestuesit më vonë janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku janë takuar dhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.