back to top
Friday, December 19, 2025
BallinaLajmeHaradinaj: Jemi të vendosur që të parandalojmë çfarëdo përhapje të ideologjive ekstremiste

Haradinaj: Jemi të vendosur që të parandalojmë çfarëdo përhapje të ideologjive ekstremiste

Të ngjajshme

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj mori sot pjesë në tryezën e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e titulluar “Luftimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm”.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast ka theksuar rëndësinë e përmbylljes së kornizës së institucioneve të sigurisë në vend si dhe dhënien e fuqisë për këto institucione, bazuar në mandatin ligjor që e kanë.  Fuqizimi, sipas kryeministrit, bëhet me buxhet, përkrahje institucionale, avancim të kapaciteteve dhe ekspertizës, si dhe rritje të besimit në ta. E gjithë kjo, sipas tij, do të ndihmoj në dhënien fund të mundësive që idetë ekstremiste të përhapen.

“Duhet ta synojmë një fund të tolerancës për idetë e caktuara ekstremiste që çojnë kah terrorizmi, për bartësit e këtyre ideve, për propagandën e këtyre ideve do të ketë një fund kur nuk do të lejohen më. Duhet ta synojmë një fund të filtrimeve me ta, me ata që janë bartës të ideve, dhe nuk guxon dikush t’i mbyllë sytë. Duhet të jemi të vendosur në tërësi që të parandalojmë çfarëdo përhapje të ideologjive ekstremiste që kanë potencial të kalojnë në terrorizëm, dhe që kanë potencial t’i nxisin njerëzit e vendit tonë për radikalizëm ose edhe për më shumë” theksoi kryeministri.

Përveç ngritjes së kapaciteteve institucionale, kryeministri theksoi se edhe arsimimi më i mirë jep më pak mundësi që qytetarët e Kosovës të rrezikojnë popujt tjerë apo të bëhen bartës të veprimtarive të tilla.

Poashtu, theksoi rëndësinë e të pasurit të një plani serioz për trajtimin e atyre që kanë qenë të përfshirë, ose që janë të përfshirë në aktivitete ekstremiste, ose që janë në luftëra të huaja, përfshirë edhe ri integrimin e tyre, ose trajtimin e tyre në vazhdimësi, në mënyrë që Kosova të jetë e sigurt se nuk mund të befasohet me rreziqe që mund t’i vijnë.

“Qytetarët e Kosovës, ata që jetojnë këtu dhe që i rrisin fëmijët këtu, nuk duan dhe nuk lejojnë që fëmija e tyre të rrezikohet prej akteve terroriste, si i shohim në media, kur fëmijët në festa ose gjatë lojës ose kohës së lirë sulmohen. Nuk besoj që ka dikush  në Kosovë që ka dëshirë ta sheh këtë duke ndodhur këtu, edhe tek fëmijët e vet. Që mos të ndodh kjo, kushdo që është në mandat ligjor duhet ta dijë që ka përgjegjësi, edhe nuk ka hapësirë as për tolerancë, as për flirtim, as për mbyllje sysh, as për neglizhencë”, theksoi kryeministri.

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, përmendi punët që ka bërë në këtë drejtim ministria që ai drejton. Në këtë drejtim, ai theksoi se shpejt pritet që Strategjia Shtetërore Kundër Terrorizmit 2017 – 2022 t’i dorëzohet për miratim Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa do të bëhet edhe vlerësimi vjetor i implementimit të Strategjisë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm 2015 – 2020.

“Përmes një vendimi do ta formoj grupin Strategjik të Ministrisë së Punëve të Brendshme për mbështetje Kundër Terrorizmit dhe Radikalizmit, që do të shërbejë si platformë koordinuese për resurset e Ministrisë në arritjen e obligimeve tona si në fushën e parandalimit të ekstremizmit edhe në fushën kundër terrorizmit, dhe këtë grup do ta kryesoj personalisht” theksoi ai.

Në këtë tryezë kanë marrë pjesë edhe ministra të linjës së Qeverisë së Kosovës, Ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Kosovë dhe akterë tjerë kyç që merren me luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Republikën e Kosovës.

 

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz