Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, OVL-UÇK, Hysni Gucati ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” se Qeveria e Kosovës ka gjetur zgjidhje për problemin me pagat e veteranëve, duke i ndarë 26 milionë euro për këtë kategori.
Parat e ndara për veteranët e UÇK-së, sipas Gucatit janë të mjaftueshme vetëm deri në janar të vitit të ardhshëm.
“Ne në vazhdimësi kemi pasur takime me këshilltarë të kryeministrit Haradinaj dhe bazuar në informacionet që ne i kemi deri të premtën e javës së ardhshme do të dalin pagat. Janë ndarë 26 milionë euro për këtë kategori, që janë të mjaftueshme deri në janar”, tha Gucati.
“Rishikimi i buxheti pritet të dalë në parlament të hënën ose të martën e javës së ardhshme”, u shpreh ai.
“Gazeta Blic” ka bërë përpjekje që të flasë edhe me Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica lidhur me këtë çështje, por kontakti më të ka qenë gati i pamundur, pasi që ai nuk është përgjigjur në thirrjet dhe SMS-et e redaksisë.
Ndryshe, dyshimet e përfaqësuesve të organizatave të dala nga lufta, për fryrje të listave me veteranë të UÇK-së kanë qenë pikënisje e hetimeve nga ana e Prokurorisë së Shtetit në vitin e kaluar.
Numëri i madh i veteranëve ka rrezikuar buxhetin e Kosovës edhe gjatë vitit të kaluar, ku kjo kategori për disa muaj rresht ka marrur pensionin e saj më vonesë.
Të hënën ka realizuar protestë një grup i veteranëve të UÇK-së para objektit të Qeverisë në shenjë pakënaqësie për mungesën e pagave për muajin shtator. Veteranët nuk e kanë marrë të plotë as pagën e muajit gusht, pasi që në buxhetin e shtetit kishin mbetur vetëm 1.7 milionë euro, para këto të cilat ishin të pamjaftueshme për dhënien e plotë të pagave të mbi 40 mijë veteranëve. Në atë botë ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa kishte vendosur që t’i ndajë në mënyrë proporcionale paratë e mbetura për të gjithë veteranët.