Kandidati i LDK-së në Prishtinë, Arban Abrashi ka premtuar se do të sjellë rregull në komunën e Prishtinës, nëse do ta merrte besimin e qytetarëve të kryeqytetit.
Por, një gjë tillë Abrashi nuk e ka dëshmuar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, sa ishte ministër.
Partia e Abrashit në vazhdimësi ka kritikuar kryetarin aktual Shpend Ahmetin për punësime siç kanë thënë të jashtëligjshme.
Për punët hiç mirë me punësime nuk i ka pasur Abrashi në ministrinë që e kishte drejtuar, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Auditori kishte zbuluar se kjo ministri kishte bërë punime të jashtëligjshme.
“MPMS kishte 22 persona të angazhuar me marrëveshje për shërbime të veçanta. Ne kemi testuar katër kontrata dhe kemi vërejtur se në dy raste kontratat ishin vazhduar çdo gjashtë muaj. Kjo është në kundërshtim me rregullat e aplikueshme. Pagesa e tyre ishte bërë nga mallrat dhe shërbimet dhe
arsyeja e angazhimit ishte mungesa e buxhetit për paga dhe mëditje. Vlen të theksohet se MPMS kishte pozita të aprovuara të punëtorëve të mjaftueshme mirëpo nuk kishte buxhet të mjaftueshëm për mbulimin e pagave të tyre”, thuhet në raportin e Auditorit për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Auditori ka vlerësuar si rrezik se angazhimi i punëtorëve me marrëveshje për shërbime të veçanta, më gjatë se koha e përcaktuar mund të rezultojë në mos efikasitet operacional dhe mosarritje të objektivave të organizatës. Ndërsa, numri i lartë i tyre mund të shkaktoj kosto shtesë për shërbimet e ofruara. /orainfo/