Kryetari i ri i Drenasit, Ramiz Lladrovci, për vitin 2017, para vetes do të ketë një buxhet prej 13 milionë e 141 mijë e 239 euro, që i bie se komuna do të ketë mbi 300 mijë euro më shumë në llogarinë e saj se sa që kishte në vitin 2016. Në krahasim me buxhetin e shpenzuar të vitit të kaluar me projektbuxhetin e ri, Komuna ka mundësi më të vogla për shpenzime komunale dhe subvencione e transfere. Rritja e buxhetit vërehet tek kategoria paga dhe mëditjet, investimet kapitale dhe mallrave e shërbime, transmeton gazetajnk.
Zbërthyer në shifra, prej këtij buxheti të planifikuar, parashihen të shpenzohen mbi 7.8 milionë euro për paga dhe mëditje, që i bie rreth 60 për qind e këtij buxheti të planifikuar. Rreth 3.8 milion euro apo mbi 29 për qind do të shpenzohen për investime kapitale. 1.06 milionë euro për mallra dhe shërbime, për subvencione dhe transfere mbi 212 mijë euro dhe për shpenzime komunale mbi 157 mijë euro, të gjitha këto me pjesëmarrje rreth 10.1 për qind.
Sa i përket shpenzimit të buxhetit, deri më tani kemi të dhëna vetëm për vitin 2015, pasi janë edhe një muaj për t’u shpenzuar buxheti për vitin aktual, 2016. Buxheti përfundimtarë i Komunës së Drenasit për vitin 2015 ishte 12 milionë e 828 mijë e 40 euro, të cilin buxhet komuna e shpenzoi deri në 95 për qind apo 12 milionë e 246 mijë e 369 euro, (i cili ishte mbi 889 mijë më i lartë se i viti 2014-të). Mbi 7.6 milion euro u shpenzuan për paga dhe mëditje, ndërsa 3.1 milionë euro për investime kapitale, dhe rreth 919 mijë euro për mallra dhe shërbime. Mbi 264 mijë euro për subvencione dhe transfere dhe për shërbime komunale janë shpenzuar 193 mijë euro.
Pos shifrave të lartëpërmendura më lartë, kryetari Lladrovci ka siguruar edhe afro 2 milion euro nga qeveria e Kosovës. Ramiz Lladrovci dhe ministri i Infrastrukturës, Lufti Zharku, në ambientet e Ministrisë së Infrastrukturës kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për financimin e 9 projekteve infrastrukturore në Komunën e Drenasit dhe vlera e tyre arrinë 1 milion e 760 mijë euro.
Qëllimi i këtij memorandumi është financimi i projekteve infrastrukturore në Komunën e Drenasit. Në këtë memorandum janë përfshirë këto projekte:
Ndërtimi i urave në Komunën e Drenasit, përkatësisht në fshatin Vërboc në vlerë prej 30,000 eurove, asfaltimi i rrugës Polluzhë-Shtuticë-Dashec në vlerën prej 500,000 euro, ku për vitin 2017 janë paraparë të investohet në këtë projekt 300,000 euro, ndërsa për vitin 2018 do të ndahen 200,000 euro që është projekt dy vjeçar. Asfaltimi i rrugës Baicë-Tërstenik në vlerë prej 250,00 euro që po ashtu është projekt dy vjeçar, ku për këtë vit janë planifikuar 50,000 euro dhe për vitin 2018, 200,000 euro. Asfaltimi i rrugës për fshatin Fushticë e Ulët në vlerë prej 80,000 që do të realizohet këtë vit. Asfaltimi i rrugës “Gani Elshani” në Drenas që do të realizohet këtë vit dhe vlera është 250,000 euro. Rregullimi i infrastrukturës në lagjen e Dëshmorëve në Poklek në vlerë prej 200,000 euro. Asfaltimi i rrugës në fshatin Llapushnik në vlerë prej 150,000 euro që do të realizohet gjatë këtij viti. Asfaltimi i rrugës në fshatin Sankoc – Fushticë në vlerë prej 250,000 euro që po ashtu do të realizohet gjatë këtij viti dhe ndërtimi i nënkalimit në fshatin Llapushnik ku projekti do të realizohet gjatë këtij viti dhe vlera do të jetë prej 50,000 euro./GazetaJNK/Drenicapress.info/