Këto janë shenjat në trupin e një fëmije dy vjeçar që shkon në çerdhen “Fidani” në objektin “Borëbardha” në Çair.
Video është filmuar nga prindi Arstrit Iljazi i cili dyshon se fëmija i tij është keqtrajtuar nga ndonjë prej edukatorëve të punësuara në këtë çerdhe.
Iljazi dyshon në keqtrajtim pasi fëmija i tij së fundmi ka filluar ta ndryshojë disponimin dhe ka shenja të mavijosjes në më shumë pjesë të shpinës, që sipas tij, nuk mund të shkaktohen as nga rrëzimi, as nga ndonjë bashkëmoshatar.
“Prej ditës së hënë kemi vërejtur se fëmiju është diçka i shqetësuar se nuk është në rregull, nuk kemi vërejtur plagë. Ditën e djeshme pasi e kemi zhveshur i kemi parë plagët në trup. Fotot flasin vetë. Unë besoj se një moshatar nuk mund tja shakktoj këto plagë prandaj dyshojmë se ndonjë prej edukatorëve e ka bërë këtë vepër. Aty janë tre edukatore. Unë vetëm dyshoj se e ka bërë ndonjëra prej tyre. Besoj se organet kompetente do ta zgjidhin rastin sa më shpejtë pasi unë dua ta marr besimin në institucionet dhe ta dërgojë fëmijën në çerdhe përsëri pasi e kam patjetër. Fëmija qan natën, zgjohet nga gjumi. Unë enjoh fëmijën tim dhe e di se diçka nuk është në rregull”, tha për TV Shenja, Iljazi.
Prindi e ka paraqitur rastin në polici dhe në drejtorinë e çerdhes dhe e ka angazhuar edhe Ministrinë e Punëve Sociale. Nga Ministria e Punëve të Brendshme e konfirmuan rastin i cili është paraqitur në Sektorin e policisë në Bit Pazar dhe thanë se po punojnë në zbardhjen e rastit.
“Personi A.I, 29 vjeçar ka denoncuar se në periudhën prej 13 tetor deri 2 nëntor, kohë pas kohe ka vërejtur skuqje në shpinën e fëmijës së tij njëvjeçar të cilin e ka dërguar në çerdhen Fidani. Më datë 1 nëntor pasi prindi e ka marrë fëmijën nga çerdhja ka vërejtur se e ka nofullën e skuqur dhe e ka pyetur edukatoren se përse djali e ka ashtu nofullën. Ajo i ka thënë se ka tentuar ti japë të hajë ushqim. Më 2 nëntor i ka vërejtur mavijosjet dhe skuqjet në shpinë dhe shqetësimin e fëmijës. Rasti është paraqitur në stacionin policor Bit Pazar i cili po merret me zbardhjen e rastit”, thonë nga MPB për TV Shenja.
E pyetëm edhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale nëse kanë nisur ndonjë hetim për këtë rast. Ata thonë se është kryer kontroll në çerdhe dhe po priten ekspertizat e reja të fëmijës para se të ndërmarrin masa.
“Inspektorët e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale kanë kryer kontroll të jashtëzakonshëm, i cili ende llogaritet si i hapur, deri në marrjen e të dhënave të plota. Respektivisht, mungojnë të dhënat e kontrollit plotësues të fëmijës, të cilat u inicuan me insistimin e drejtorit, për shkak të dyshimit për kohën e bërjes së shenjave”, qëndron në përgjigjen e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale dhënë për Tv Shenja