Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sadri Ferati, ka thënë se koalicioni aktual qeverisës është stabil, por ka vështirësi t’i sigurojë 80 vota për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.
Ai ka thënë se për këtë çështje do të duhej të arrihej një konsensus nacional mes pozitës dhe opozitës. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Ferati ka thënë se, pavarësisht se si do të kalojë kjo çështje, Kosova do të jetë humbëse. “Kur bëhet fjalë te shumica, që kërkohen dy të tretat, pra 80 deputetë, këtu ndërron situata, sepse koalicioni PDK – LDK, Lista Serbe dhe Grupi 6+ nuk i kanë 80 deputetë për çdo çështje. Pra, ky është një koalicion stabil, por jo lehtë i siguron 80 vota, sidomos për demarkacionin, kur edhe një numër i deputetëve të LDK-së pak më shumë, por edhe të PDK-së nuk pajtohen me këtë variant. Ky qëndrim edhe më shumë e ka vë në krizë sigurimin e 80 votave”, ka thënë Ferati.
Ai ka shprehur drojën e tij se, pavarësisht asaj çfarë do të ndodhë në Kuvend me Demarkacionin, Kosova do të jetë humbëse.
Ferati ka vlerësuar se në këtë rast palët nuk kanë ditur të bëjnë politikë.
Ndër të tjera në këtë intervistë, ai ka thënë se sfida kryesore të Qeverisë mbeten zbatimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit.