Drejtori i firmës së madhe të sigurimeve Zurich, Martin Senn, ka bërë vetëvrasje. Para tij i kishte dhënë fund jetës edhe një menaxher tjetër i të
nëjtës kompani, ndërsa në vitin 2013 kishte vrarë veten shefi i Swisscomit, kompanisë kryesore zvicerane të telefonisë.
Ish-shefi i kompanisë zvicerane të sigurimeve Zurich, Martin Senn, ka vrarë veten të premten që shkoi, ndërsa lajmi është bërë publik të hënën nga mediumet zvicerane. «Vdekja e papritur e Martin Senn na ka tronditur», shkruan kompania Zurich në një njoftim.
Senn ishte 59-vjeçar. Ai bëri vetëvrasje në Klosters të kantonit Graubünden, një trevë e njohur turistike. Senn ka qenë shef i Zurich për gjashtë vjet me radhë. Më 1 dhjetor 2015 ai dha dorëheqje të menjëhereshme. Më parë kishte dështuar blerja e kompanisë britanike të sigurimeve RSA dhe ishte shënuar një rënie e fitimeve.
Presioni i investitorëve ishte i madh pas rezultateve dëshpëruese të biznesit, ishte thënë me atë rast nga ana e ndërmarrjes. Humbja e ndikimit në kompani dhe largimi nga puna ishte përjetuar rëndë nga Senn, shkruan gazeta «Blick», duke iu referuar një personi që e ka njohur menaxherin. Sipas tij Senn vuante nga depresioni dhe nuk merrte pjesë në asnjë aktivitet publik.
Vetëvrasja e Martin Senn është e dyta brenda tri viteve në kompaninë e sigurimeve Zurich, e cila ka një qarkullim vjetor prej 70 miliardë dollarë dhe punëson rreth 55 mijë veta. Në fund të gushtit 2013 kishte vrarë veten drejtori financiar Pierre Wauthier. Ai ishte 53-vjeçar. Në një letër lamtumirëse ai kishte fajësuar bordin e ndërmarrjes për presion të madh.
Në korrik të vitit 2013 Zvicra ishte tronditur nga një vetëvrasje tjetër: menaxheri Carsten Schloter ishte gjetur i vdekur në vendbanimin e tij afër qytetit të Freiburgut. Schloter ishte drejtor i Swisscomit, kompanisë kryesore zvicerane të telefonisë, e cila punëson 21 mijë punëtorë dhe ka një qarkullim vjetor prej gati 12 miliardë franga. Schloter punonte në Swisscom nga viti 2000. Fillimisht kishte udhëhequr sektorin e telefonisë mobile, më 2006 ishte emëruar drejtor i përgjithshëm i ndërmarrjes.
Para se të bënte vetëvrasje ai kishte paralajmëruar se do të largonte qindra punëtorë nga puna për shkak të ndryshimeve strukturore, ndërsa mediumet zvicerane kishin raportuar edhe për probleme private të menaxherit gjerman. Po ashtu ishte njoftuar për mosmarëveshje në mes të Carsten Schloter dhe she阩귒t të bordit të Swisscomit.
Në dhjetor 2008 kishte bërë vetëvrasje Alex Widmer, drejtor i bankës së njohur zvicerane «Julius Bär». Pak ditë para vdekjes Widmer ishte ankuar se banka që drejtonte duhej të reduktonte planet e saj të ekspandimit. Tri vite më vonë, në nëntor 2011, shefi i firmës së njohur zvicerane të bonboneve Ricola, Adrian Kohler, ishte hedhur para trenit. Dy ditë para vetëvrasjes Koher kishte njoftuar bordin e ndërmarrjes se kishin ndodhur disa «parregullësi të vogla» financiare. Nga fenomeni tragjik i vetërasjes së menaxherëve nuk është e prekur vetëm Zvicra.
Në fillim të vitit 2014 kishte varur veten në Londër ish-menaxheri i «Deutsche Bank», William Broeksmit. Po në atë kohë një menaxher i bankës «J. P. Morgan» ishte hedhurnga kulmi i selisë së bankës në Londër. Në fillim të vitit 2015 kishte vrarë veten HeinzJoachim Neubürger, ish-drejtor financiar i gjigantit gjerman Siemens. Në vitin 2006 Siemens ishte dridhur nga një aferë e madhe korrupsioni. Neubürger dhe menaxherë të tjerë ishin akuzuar se kishin njohuri për sistemin korruptiv.
Sipas ekspertëve të menaxhmentit shumica e drejtuesve të korporatave bëjnë vetëvrasje për shkak të presionit të madh nga ana e bordeve dhe investitorëve, të cilat, përkundër fitimeve të mëdha, vazhdimisht kërkojnë rezulatate edhe më të mira, mundësisht duke larguar punëtorë nga puna. Ngarkesa emocionale është shumë e madhe, presioni i mediumeve po ashtu. Organizatat për preventivë të vetëvrasjeve theksojnë se në të shumtën e rasteve menaxherët refuzojnë të pranojnë ndihmën që u ofrohet. Frika se në opinion mund të perceptohen si njerëz të dobët ndikon që menaxherët të zgjedhin rrugën më të tmerrshme: vetëvrasjen./DP