Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar në përvjetorin e ndarjes nga jeta veprimtarin e çështjes kombëtare, Smajl Haradinaj, duke e cilësuar atë si patriot të madh dhe figurë të rëndësishme të historisë kombëtare.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka theksuar se Smajl Haradinaj nuk kishte një jetë të lehtë dhe se ka përjetuar edhe burgjet jugosllave, së bashku me pjesëtarë të familjes së tij.
“Ai përjetoi edhe tmerrin e burgjeve jugosllave, ndërsa të njëjtin fat e pësuan edhe pjesëtarë tjerë të familjes, djemtë; Naimi, Nasimi dhe Agroni, vajzat; Shqipja e Naimja, bashkëshortja Myzaqetja dhe bashkëshortja e Nasimit, Gjejlonja”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka shtuar se sakrifica e tij ka shërbyer si frymëzim për brezin e luftëtarëve të UÇK-së në rrugën drejt lirisë së Kosovës.
“Sakrifica e tij ishte frymëzim për ne dhe për gjithë brezin e luftëtarëve të UÇK-së, në rrugën për realizimin e ëndrrës shekullore të shqiptarëve për të jetuar të lirë”, ka theksuar ai.
Haradinaj ka kujtuar gjithashtu se Smajl Haradinaj ka rritur dhe edukuar bij luftëtarë, të cilët u bënë pjesë e luftës çlirimtare.
“Lavdi jetës dhe veprës së Bacës Smajl!”, ka përfunduar ai. /Lajmi.net/