BallinaBuxheti për kulturën, i varfër

Buxheti për kulturën, i varfër

Kosova do të ketë një buxhet prej diku 1 miliard e 600 milionë euro për vitin 2015, kurse vetëm për Ministrinë e Kulturës do të ndahen pak mbi 21 milionë euro. Në baze të ligjit për Buxhetin shtetëror për vitin 2015, që tashmë është postuar edhe në ueb-faqen e Ministrisë së Financave, buxheti për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nuk do të ketë ndonjë ndryshim nga ai i viteve të kaluara. Gjithsej për këtë ministri që mbulon disa departamente dhe mjaft institucione kulturore, në bazë të Ligjit për buxhetin e vitit 2015 janë ndarë 21 milionë e 800 mijë euro. Nga gjithë kjo shumë për Departamentin e Kulturës së kësaj ministrie janë ndarë 6 milionë e 538 mijë euro. Për Departamentin e Trashëgimisë, një sektor mjaft i rëndësishëm ky, që mbulohet nga MKRS-ja, janë ndarë mbi 2 milionë e 200 mijë euro. Njëjtë pritet të jetë edhe buxheti për institucionet kulturore që janë në varësi të MKRS-së. Megjithatë, ende MKRS-ja nuk e ka bërë publike shpërndarjen e buxhetit për këtë vit, shpërndarje e cila pritet të mos dallojë nga vitet paraprake.
Mos të përsëriten dështimet
Për komunitetin kulturor një buxhet i tillë për kulturë është mjaft i vogël krahasuar me kapacitetet kulturore që ka vendi dhe nevojat për mbështetje. Por, edhe përkundër kësaj, po të menaxhohet si duhet ky buxhet, sipas drejtuesve të shoqatave të ndryshme që mbledhin krijuesit tanë, do të mund të shpresohej për rezultate solide në zhvillimet kulturore në vend. Në të kundërtën, kanë thënë ata, vetëm sa do të përsëriteshin dështimet e viteve të kaluara. Krijuesi dhe kritiku i filmit dhe teatrit, Reshat Sahitaj, aktualisht kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Unionit të Shkrimtarëve Shqiptarë, ka thënë për “Kosova Sot” se me një shumë të tillë është e pamundur që të kënaqen të gjitha shoqatat, të cilat aktualisht zhvillojnë aktivitete kulturore në vend. Ai ka thënë se buxheti që është përcaktuar për MKRS-në është i pamjaftueshëm, por ka vazhduar ai, nëse edhe ky buxhet shpërndahet nëpërmes klaneve e grupeve të afërta me drejtuesit e MKRS-së, vetëm sa do të ketë stagnim dhe dëmtime të zhvillimeve kulturore. “Por, nëse ai buxhet i vogël menaxhohet me kujdes dhe në mënyrë profesionale, duke përkrahur shoqata profesionale dhe me një traditë, atëherë mendoj se mund të priten suksese të kënaqshme”, ka thënë Sahitaj. Edhe krijuesi Ardian Haxhaj, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës, është shprehur në një prononcim për “Kosova Sot” se, edhe pse kultura kosovare gëzon një buxhet të limituar, me një menaxhim të kujdesshëm do të jepeshin rezultate të suksesshme në zhvillimet kulturore në vend. Sipas tij, edhe me buxhet të limituar, nëse do të ketë menaxhim të mirë, disa projekte serioze në të gjitha sferat e kulturës mund të përkrahen dhe të zhvillohen në të mirë të reprezentimit të kulturës së Kosovës në rajon dhe më gjerë. “Është me rëndësi që të mos përkrahen financiarisht projektet mediokre si rezultat i klientelizmit të mundshëm, por të përkrahen projektet që në vete ngërthejnë një brumë të mirëfilltë në sferën e kulturës”, ka thënë Haxhaj.
MKRS-ja premton rezultate
Edhe pse gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim zyrtar nga MKRS-ja rreth buxhetit për këtë vit të kësaj ministrie, shpërndarjes së tij nëpër institucione dhe prioriteteve financiare që do të ketë kjo ministri për këtë vit, ditë më parë zyrtarë të kësaj ministrie kanë thënë për “Kosova Sot” se MKRS-ja është e interesuar për të ngjallur jetën në vend, duke krijuar kushte të nevojshme që artistët e të gjitha fushave të kenë mundësi performimi dhe dëshmimit të cilësisë së tyre.“Në pajtim me politikat e ministrisë është paraparë realizimi i shumë projekteve që kanë të bëjnë me kulturën. Përveç investimeve në infrastrukturë, qoftë rinovimeve të objekteve të ndryshme qoftë për të siguruar fonde për mbrojtjen artefakteve të ndryshme të institucioneve të kulturës, por këtë vit ministria rëndësi do t‘i kushtojë çështjes së promovimit të kulturës në mbarë vendin, si pjesë e diversitetit kulturor evropian”, ka thënë për “Kosova Sot” Vehbi Miftari, këshilltar i lartë politik i ministrit të Kulturës.