Këtë vendim Inspektorati i Punës po e konsideron të jashtëligjshëm dhe sot ka lëshuar një vendim të dytë ku i kërkon KEDS-it që të gjithë punëtorët t’i kthej në punë, duke dhënë edhe sqarime shtesë për vendimin.
KEDS-i kishte bërë ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë të Inspektoratit, pas ankesës së Federatave të Sindikatave të Pavarura Elektro-Kosova që e kishte bërë në Inspektoratin e Punës, që kishte kërkuar kthimin e punëtorëve në punë me arsyetimin se është bërë largim kolektiv nga puna dhe ka pasur shkelje të të drejtave të punës.
Por sot KEDS e ka marr edhe vendimin e shkallës së dytë, që e ka siguruar lajmi.net e ku në të thuhet se ankesa e KEDS-it nuk është e bazuar dhe largimi nga puna është bërë në kundërshtim me Ligjin e Punës të Republikës së Kosovës.
Në vendim Inspektorati i jep arsyet se pse ankesa e KEDS-it është e pabazuar duke përmendur se largimi i punëtorëve nga puna me arsyetimin e shuarjes së departamenteve është e kundërligjshme.
Më tej në vendim thuhet se janë analizuar të gjitha rrethanat dhe kanë ardhur në përfundim se KEDS-i nuk i ka arsyetuar ligjërisht largimet nga puna.
Ndërsa avokati i Sindikatave të Pavarura Elektro-Kosova, Nasuf Hasani, ka thënë për lajmi.net se e çmojnë shumë punën e Inspektoratit që ka vendosur në mënyrë të drejt për kthimin e punëtorëve në punë.
Ai ka thënë se KEDS nuk ka pasur të drejt t’i largoi punëtorët me arsyetimin se gjoja po shuhen departamentet fiktive.
“Fillimisht e çmojmë punën e Inspektoratit të Punës nga se ka vendosur në mënyrë të drejtë kur ka vepruar në drejtim të refuzimit të ankesës së KEDS-it dhe i ka vërtetuar pretendimet tona se KEDS nuk ka pasur të drejtë t’i largon 92 punëtorë nga puna në bazë të një vendimi fiktiv gjoja se po shuhen departamentet, e të cilat departamente janë formuar vetëm sa për sy e faqe”, ka thënë Hasani për lajmi.net.
Hasani ka theksuar se vendimin e konsideron shumë të drejt dhe do ta qojnë në Gjykatën Themelore në Prishtinë që të merr vendim përmbarues për kthimin e menjëhershëm të punëtorëve në vendin e tyre të punës.
Avokati i Sindikatave të Pavarura Elektro-Kosova, Nasuf Hasani
“Konsideroj se ky vendim është i drejtë nga se në asnjë formë KEDS nuk e ka arsyetuar vendimin e datës 22.03.2016 t’i largon punëtorët nga puna, të cilët disa prej këtyre punëtorëve kanë punuar në këtë ndërmarrje që nga viti 1974. Ne do ta bëjmë propozim për përmbarimin e këtij vendimi të inspektoratit në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe shpresojmë nga kjo Gjykatë që shumë shpejt të nxjerr vendim që do ta detyronte KEDS-in t’i kthej punëtoret e larguar nga puna padrejtësisht”, ka theksuar Hasani./Lajmi.net



