Është dënuar me gjashtë vjet burgim, S.P nga Gjakova, i cili akuzohet për vrasje të rëndë e mbetur në tentativë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.
Gjykata Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur së palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.
“Trupi gjykues, i kryesuar nga kryetari Sulltan Dobraj, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, shpalli aktgjykimin me të cilin i pandehuri u shpall fajtor dhe ndaj tij u shqiptua dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vjetësh”.
“I pandehuri akuzohet se më datë 11 prill 2025, rreth orës 13:10 minuta, në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin P.N., duke rrezikuar gjithashtu edhe jetën e të dëmtuarit A.N., në atë mënyrë që, përderisa të dëmtuarit ndodheshin në lokalin e të pandehurit “B.C.”, së bashku me vëllezërit A.N dhe E.N., duke pirë kafe, në momentin kur kërkojnë të bëjnë pagesën, i dëmtuari P.N., i jep të pandehurit 20 euro për të paguar. Në atë çast ndërhyn A.N., duke insistuar se dëshiron t’i paguajë vetë pijet. P.N., i drejtohet A.N., me fjalët: “Ti mos u lodh, se unë do të paguaj.”
“Pas kësaj, i pandehuri merr të hollat, shkon te banaku, merr pistoletën Zoraki 9×9 mm, kthehet tek tavolina, i hedh paratë në tokë dhe e godet me shqelm karrigen e të dëmtuarit P.N., duke i thënë: “Kujt i the ti mos u lodh?” Në atë moment ndërhyn dëshmitari A.N., i cili përpiqet ta kapë të pandehurin, ndërsa A.N., i del para P.N.. Të dëmtuarit, duke parë situatën e krijuar, futen në dyqanin “J.T.”. I pandehuri e repeton armën dhe, nga një distancë prej rreth 3 metrash, shtie tri herë në drejtim të të dëmtuarve, ku dy plumba e godasin P.N., në këmbën e djathtë — në gju dhe nën gju — duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Ndërsa i dëmtuari A.N., i shpëton të shtënave, edhe pse ndodhej pothuajse ngjitur me P.N.. Pas kryerjes së veprës, i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes me armë në dorë dhe qëndron në arrati për rreth tre javë”, thuhet në njoftim.
Në vitin 2015, Pnishi ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me burg dhe gjobë nga Gjykata Themelore në Gjakovë. Asokohe, ai akuzohej për një rast të rrahjes dhe për armëmbajtje pa leje.