HomeLajme“374 euro u regjistruan gabimisht 374 mijë euro” 10 pozita me ushtrues...

“374 euro u regjistruan gabimisht 374 mijë euro” 10 pozita me ushtrues detyre- Dështimet e projektit 814 mijë ero për IML – Çfarë gjeti auditimi në Ministrinë e Drejtësisë?

Të ngjajshme

Rita Ora shfaq barkun e tonifikuar, dominon skenën me paraqitje spektakolare

Rita Ora ka tërhequr vëmendjen në Isle of Wight...

​Mot i ndryshueshëm sot, me mundësi për reshje

Të hënën, vendi do të përfshihet nga mot i...

Gati për dasmë, zbulohen të ftuarit e Taylor Swift

Këngëtari Sombr është raportuar si një nga të ftuarit...

Ministria e Drejtësisë ka marrë opinion të pamodifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit për pasqyrat financiare të vitit 2025, por raporti i publikuar përmban një sërë gjetjesh që hedhin dritë mbi probleme në menaxhimin e projekteve kapitale, kontratave publike, detyrimeve kontingjente dhe organizimit të brendshëm institucional.

Auditorët kanë konstatuar se, ndonëse pasqyrat financiare paraqesin gjendjen financiare në mënyrë të drejtë, ministria ka shfaqur dobësi të konsiderueshme në realizimin e projekteve, monitorimin e kontratave dhe kontrollin e shpenzimeve publike.

Gjatë vitit 2025, Ministria e Drejtësisë e udhëhequr nga Albulena Haxhiu, tashmë U.D e Presidentes së Kosovës kishte në dispozicion një buxhet final prej mbi 54 milionë eurosh, ndërsa realizoi shpenzime prej 44.3 milionë euro, apo rreth 82 për qind të buxhetit të planifikuar. Auditorët vërejnë se niveli më i ulët i realizimit është regjistruar tek investimet kapitale, ku nga mbi 11.5 milionë euro të planifikuara janë shpenzuar vetëm rreth 2.4 milionë euro. Kjo tregon vështirësi serioze në zbatimin e projekteve zhvillimore dhe investimeve infrastrukturore.

Projekti prej 814 mijë eurosh në Institutin e Mjekësisë Ligjore nuk përfundoi me kohë

Një nga gjetjet më serioze të raportit lidhet me projektin “Renovimi i Kulmit të Institutit të Mjekësisë Ligjore”, i cili kishte vlerë kontraktuale prej 814 mijë e 229 euro.

Sipas auditorëve, kontrata ishte nënshkruar më 25 shtator 2024, ndërsa punimet duhej të përfundonin deri më 30 maj 2025. Megjithatë, gjatë auditimit u konstatua se projekti ende nuk kishte përfunduar, duke shkaktuar vonesa në përmbushjen e obligimeve kontraktuale dhe në funksionalizimin e objektit.

Sipas gjetjeve, në pozicionin 8.18 furnizimi dhe transporti me pllaka graniti, vlera e kontraktuar ishte 10.020 euro ndërsa vlera e realizuar ishte 17.578 euro me tejkalim prej 7.558 euro.

Në pozicionin 9.5 furnizimi dhe montimi i knaufit, vlera e kontraktuar ishte 6,000 euro ndërsa e realizuar ishte 25,582 euro, me një tejkalim prej 19,582 euro dhe në pozicionin 40 rrjeti i internetit, montimi dhe finalizimi, vlera e kontraktuar ishte 2,592 euro ndërsa vlera e realizuar ishte 7,200 euro me një tejkalim prej 4,608 euro.

“Vlera e përgjithshme kontraktuar për këto tri pozicione ishte 18,612 euro ndërsa vlera e realizuar arriti në 50,360 euro, duke rezultuar në një tejkalim prej 31,748 euro”.

Përveç vonesave, auditimi evidentoi edhe tejkalime të konsiderueshme të sasive të punimeve në disa pozicione krahasuar me paramasat fillestare. Në tri raste të veçanta, punimet e realizuara arritën vlerën 50 mijë e 360 euro, ndërsa sipas kontratës ishte planifikuar një vlerë prej vetëm 18 mijë e 612 euro. Diferenca prej 31 mijë e 748 eurosh ngre pikëpyetje mbi planifikimin dhe kontrollin e realizimit të projektit.

Auditorët theksojnë se këto vonesa kanë shtyrë vënien në funksion të plotë të objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe kanë rritur rrezikun për shpenzime shtesë për buxhetin e shtetit.

Furnizimet “emergjente” u vonuan deri në 15 ditë

Një tjetër gjetje ka të bëjë me procedurat e prokurimit publik.

Ministria kishte përdorur procedurën e negociuar pa publikim për furnizime higjienike në vlerë prej 119 mijë e 497 euro. Kjo procedurë lejohet vetëm në raste urgjente dhe të paparashikueshme, kur nuk ka kohë për zhvillimin e procedurave të zakonshme të tenderimit.

Megjithatë, auditimi zbuloi se furnizimet nuk ishin realizuar brenda afatit prej tre ditësh të përcaktuar në kontratë, por me vonesa që në disa raste shkonin deri në 15 ditë.

Për auditorët, ky fakt dobëson arsyetimin për përdorimin e procedurës emergjente, pasi qëllimi i saj është sigurimi i furnizimeve të menjëhershme. Për më tepër, ministria nuk kishte ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj operatorit ekonomik për mosrespektimin e afateve.

Ministria nuk aplikoi penalitete ndaj operatorëve që vonuan kontratat

Raporti evidenton se në disa raste Ministria e Drejtësisë nuk ka zbatuar kushtet kontraktuale dhe nuk ka aplikuar penalitete ndaj kompanive që nuk i kanë respektuar afatet.

Në një kontratë për rregullimin e dyshemeve me epoksid në vlerë prej 65 mijë eurosh, furnizimi nuk ishte realizuar brenda afatit 30-ditor dhe ishte regjistruar vonesë prej 25 ditësh. Megjithatë, penalitetet e parapara nuk ishin zbatuar.

Në një rast tjetër, që kishte të bënte me furnizimin e pajisjeve të sigurisë për Shërbimin Korrektues të Kosovës, sigurimi i kontratës nuk kishte mbuluar periudhën e kërkuar sipas kushteve të tenderit.

Ndërsa në një kontratë për mirëmbajtjen e ndërtesave, mallrat ishin dorëzuar pas afatit kontraktual, por sërish nuk ishin aplikuar penalitetet përkatëse.

Auditorët vlerësojnë se mungesa e masave ndëshkuese ndaj operatorëve ekonomikë krijon precedent negativ dhe rrit rrezikun që kontratat publike të mos zbatohen sipas kushteve të dakorduara.

Gabime në paraqitjen e detyrimeve kontingjente

Një nga gjetjet financiare më domethënëse ka të bëjë me detyrimet kontingjente, që përfshijnë rastet gjyqësore dhe obligimet potenciale financiare që mund të materializohen në të ardhmen.

Auditorët gjetën se disa raste vazhdonin të paraqiteshin si detyrime kontingjente edhe pse procedurat kishin përfunduar.

Po ashtu, në një rast një detyrim prej vetëm 374 eurosh ishte regjistruar gabimisht si 374 mijë euro, duke krijuar mbivlerësim prej 373 mijë e 766 eurosh.

Në një rast tjetër, një detyrim prej 57 mijë eurosh ishte regjistruar si vetëm 1 mijë euro, duke shkaktuar nënvlerësim prej 56 mijë eurosh.

Sipas auditorëve, këto gabime ndikojnë drejtpërdrejt në saktësinë dhe besueshmërinë e pasqyrave financiare dhe mund të çojnë në vendimmarrje të gabuar nga institucionet përgjegjëse.

Dhjetë pozita udhëheqëse në IML me ushtrues detyre

Raporti ngre shqetësime edhe për menaxhimin e burimeve njerëzore në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Sipas auditimit, institucioni nuk kishte përfunduar procesin e klasifikimit dhe grupimit të vendeve të punës, ndonëse afati ligjor për këtë proces kishte kaluar prej kohësh.

Si pasojë, gjatë vitit 2025 ishin evidentuar gjithsej dhjetë pozita udhëheqëse të mbuluara me ushtrues detyre.

Auditorët paralajmërojnë se mbajtja e një numri kaq të madh të pozitave kyçe me ushtrues detyre mund të ndikojë negativisht në stabilitetin institucional, llogaridhënien dhe vendimmarrjen afatgjatë.

Pasuri publike të paregjistruara

Probleme janë evidentuar edhe në regjistrimin e pasurive kapitale.

Sipas raportit, regjistri i pasurive mbi 1 mijë euro ishte nënvlerësuar për 35 mijë e 137 euro. Kjo kishte ndodhur pasi dy investime – zgjerimi i Institutit Forenzik dhe sistemi i hyrjes në Shërbimin Korrektues të Kosovës – nuk ishin regjistruar në sistem gjatë vitit raportues.

Auditorët theksojnë se mosregjistrimi me kohë i pasurive ndikon në raportimin e saktë financiar dhe krijon pasqyrë jo të plotë mbi asetet shtetërore.

Gjashtë rekomandime për Ministrinë e Drejtësisë

Në përfundim të raportit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë gjashtë rekomandime kryesore për Ministrinë e Drejtësisë.

Rekomandimet fokusohen në forcimin e kontrollit të brendshëm, përmirësimin e planifikimit të projekteve kapitale, monitorimin më të rreptë të kontratave publike, aplikimin e penaliteteve kur operatorët ekonomikë nuk respektojnë obligimet, përditësimin e saktë të evidencave financiare dhe përfundimin e proceseve organizative në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Megjithëse ministria ka marrë opinion pozitiv për pasqyrat financiare, raporti tregon se ekzistojnë probleme të vazhdueshme në menaxhimin operacional dhe zbatimin e kontratave publike. Në veçanti, vonesat në projektin mbi 814 mijë euro të Institutit të Mjekësisë Ligjore, përdorimi i procedurave emergjente pa rezultatet e pritshme dhe mosndëshkimi i operatorëve ekonomikë për vonesat, paraqesin çështjet më të rëndësishme të evidentuara nga auditorët për vitin 2025. /Lajmi.net/ 

Raporti i plotë:

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz