Sot bëhen 20 vjet nga vrasja e gazetarit, shkrimtarit dhe aktivistit të shquar të çështjes shqiptare Sabit Veliu bashkë me mikun e tij aktivistin Musli Shalën nga forcat serbe.
Në mëngjesin e 20 Marsit, ushtria dhe njësitet speciale e paramilitare serbe me arrogancën më të madhe depërtuan nëpër një numër të madhe të shtëpive në lagjet e Skënderajt, e ndër to edhe në shtëpinë e sekretarit të sh.m.t“Anton Çetta”, Dibran Shalës.Aty pasi keqtrajtojnë familjarët, dhe pasi bastisin nëpër shtëpinë e Dibranit, arrestojnë dhe morën me vete djalin e tij Musliun si dhe dhëndrrin e tij profesorin e gjuhës angleze dhe aktivistin e të drejtave të njeriut Sabit Veliun.
Në këtë datë të 20 vjetëve më parë nëpër disa shtëpi policia serbe kishin marr edhe disa të rinj tjerë si: Lavdim Vojvoda nga Llausha 20 vjeçar(nxënës i Sabitit), xhaxhain e tij Nebih Vojvoda dhe mikun e tij Sadik Gashin nga Tërsteniku, Januz Kallecin dhe djalin e tij Xhavit Kallecin nga Polaci dhe Ramiz Gecin nga Llausha.
Familjarët kujtuan se po i dërgonin në stacionin policor për arrestim, por Sabitin e Musliun së bashku me gjashtë të tjerë barbarët serbë i ekzekutojnë tek pishat sipër Skënderajt, kurse kufomat i bartin dhe i dërgojnë në morgun e spitalit në Mitrovicë.
Për vrasjet dhe vendndodhjen e tyre familjarët ishin njoftuar përmes telefonatave nga mërgimtarët atë ditë të kobshme në mbrëmje.Në lajmet e publikuara serbe, që kishin depërtuar në televizionet perëndimore ishte njoftuar se policia serbe kishte kapur e vrarë tetë “terrorist” shqiptarë në Skënderaj, duke ua cituar emrat, datat dhe vendlindjet e tyre, e ndër ta edhe “Diverzantin e UÇK-së” siç e kishin quajtur Sabitin ata, kufomat e të cilëve ndodhen në morgun e spitalit në Mitrovicë.E ëma e Musliut tashmë e ndjerë Zelfija me të bijen Sabrijen, edhe karrshi rreziqeve të nesërmen shkojnë në spitalin e Mitrovicës, i tërheqin kufomat me ndihmën e disa banorëve të atjeshëm, dhe i varrosin në varrezat e fshatit Shupkofc në Mitrovicë.
Sabit Veliu së bashku me mikun e tij Musli Shala ishin pjesëmarrës në protestat e demonstratat që organizoheshin për çështjen e Kosovës.Sabit Veliu kishte punuar një kohë të gjatë gazetar në Televizionin e Zagrebit.Veliu punoi profesor i gjuhës angleze në sh.m.t “Anton Çetta” në Skënderaj.Ishte përkthyes i gjuhës angleze, si dhe aktivist në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.Veliu merrej edhe me shkrime.Dy nga botimet e tij janë:Fjalor Anglisht-Shqip për shkollat e mesme(me rreth 3000 fjalë), dhe “Antologjia e fjalëve të urta”, nga mendimtar të njohur.
Në vendin e quajtur “Te Pishat” në Skënderaj në nderim të profesorit Sabit Veliut e Musli Shalës dhe gjashtë të rënëve tjerë është ngritur një pllakë përkujtimore.


