Nëpërmjet portës kryesore detare të vendit, Portit të Durrësit, kanë hyrë dhe dalë 111 mijë e 49 pasagjerë vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti, duke shënuar edhe muajin me ritmin më të lartë të këtij sezoni turistik.
Terminali i Trageteve ka operuar me kapacitet të plotë në të gjitha shërbimet e tij, përfshirë edhe agjencitë private, çka ka bërë që fluksi i lëvizjes të mos sjellë vonesa apo problematika të tjera.
Ajo që vihet re është se hyrjet mbajnë peshën më të madhe të qarkullimit të pasagjerëve, me 83 mijë e 116 në hyrje dhe në dalje 27 mijë e 933 pasagjerë.
Sipas të dhënave të Autoritetit Portual Durrës, shtetasit e huaj janë ata që kanë përdorur transportin detar në këtë pikë kufitare, me 70 mijë e 281 pasagjerë, ndërsa 40 mijë e 768 janë shtetas shqiptarë.
Në krahasim me korrikun e vitit 2024, shifrat mbeten pothuajse në të njëjtat nivele, me një diferencë shumë të lehtë prej rreth 1% më pak, ose 1 mijë e 981 pasagjerë.
HYRJE-DALJET NË KORRIK
-111 mijë e 49 PASAGJERË
-83 mijë e 116 NË HYRJE
-27 mijë e 933 NË DALJE
-70 mijë e 281 TË HUAJ
-40 mijë e 768 SHQIPTARË