Disa ish-pjesëtarë të UÇK-së tashmë janë dënuar. Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burg për krime lufte. Ish-komandanti Salih Mustafa fillimisht u dënua me 26 vjet, por më pas Gjykata e Apelit ia uli dënimin në 22, dhe më vonë në 15 vjet.
Ndërkohë, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj nga Organizata e Veteranëve të Luftës u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim për pengim të administrimit të drejtësisë.
Sipas avokatit Ardian Bajraktari, që përfaqëson një nga të akuzuarit, Gjykata nuk ka arritur të dëshmojë akuzën kryesore – atë të “Ndërmarrjes së përbashkët kriminale”. Ai thotë se nga muaji shtator do të fillojë faza e dëgjimit të dëshmitarëve të mbrojtjes, që pritet të çojë drejt përmbylljes së procesit.
“Prokuroria nuk ka arritur të argumentojë ndonjë lidhje konkrete që mbështet këtë akuzë kryesore. Ne presim që në shtator të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes dhe të ecet drejt përfundimit të procesit,” tha Bajraktari për RTV Dukagjini.
Por nga Organizata e Veteranëve të Luftës, besimi në drejtësinë e kësaj gjykate është i ulët. Zëdhënësi i saj, Gazmend Syla, shprehet se OVL-UÇK nuk pret një vendim të drejtë për ish-krerët e UÇK-së.
“Nuk është se kemi ndonjë pritje pozitive. Përkundrazi, kemi frikë për verdiktin përfundimtar, bazuar në gjithë atë që ka ndodhur deri tani,” tha Syla, duke përmendur edhe pranimin e provave nga Serbia si një ndërhyrje politike në proces.
Për këtë arsye, më 7 gusht në ora 17:00, është paralajmëruar një protestë popullore në mbështetje të të akuzuarve nga Gjykata Speciale.
Ish-kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se protesta do të mbahet për shkak të “papërgjegjësisë së institucioneve të vendit” dhe sepse sipas tij, “Gjykata Speciale po shkel të gjitha të drejtat e të akuzuarve”.
“Kjo gjykatë është e papranueshme për popullin e Kosovës,” u shpreh Gucati, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestë.
Pas një dekade funksionimi, Gjykata Speciale vazhdon të jetë në qendër të debatit publik – mes kërkesave për drejtësi dhe dyshimeve për drejtësinë që ajo ofron.