Ushtruesi i detyrës së drejtorit për Integrime evropiane koordinim të politikave dhe çështje ligjore në MASHT, Ferit Idrizi, është kërcënuar nga Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, transmeton Gazeta Metro.
Idrizi e ka denoncuar sot në polici ministrin Bytyqi për kërcënim fizik.
Ai thotë se të mërkurën u kërcënua fizikisht nga Bytyqi pasi nuk pranoi të nënshkruante një dokument të jashtëligjshëm siç i kishte kërkuar ministri.
Bëhet fjalë për një opinion ligjor të cilin e ka kërkuar ditë më parë Agjencia e Akreditimit nga MASHT-i meqë komisioni i ankesave në Agjenci jashtëligjshëm kishte akredituar programe studimore duke i marrë kompetencat e bordit.
Idrizi ka thënë për Gazetën Metro se opinionin nuk e kishte shkruar zyra e tij por ja kishin dërguar nga kabineti i ministrit vetëm që ta nënshkruante.
“Kërcënimi mu është bërë për shkak të një dokumenti të cilin nuk e ka pregadit zyra ligjore e jona por e kanë pregadit ata, dhe i njëjti dokument ka qënë në kundërshtim me ligjin. Të njëjtin dokument un nuk kam dashur ta nënshkruaj”, ka thënë Idrizi për Metron.
Ai ka thënë që pasi ky nuk ka pranuar ta nënshkruaj dokumentin, ministri Bytyqi është ngritur në këmbe duke e kapur shishen me dorë dhe duke i thënë dil nga zyrja ime.
“Unë ju kam thanë atyre që këtë dokument që ma keni sjellë njëherë e shikojmë më zyren ligjore, e shohim a është harmonizuar me akte juridike dhe e nënshkruajmë, kjo ka qenë e gjitha, dhe ministrit Bytyqi i ka ardhë shumë rëndë kjo, dhe në zyre të vet në prezencë të tjerve është tensionuar situata dhe u qu duke më thënë: lëshoma zyrën dhe dil përjashta. Ai e kapi me dorë shishen, ndërsa unë i thash zyra nuk është e jotja, zyra është e qytetarëve, unë u qova dhe duke dalë i thash atij që po më kërcënon”, ka thënë Idrizi. /gazetametro.ne