Zvicra intensifikon përpjekjet për ta bindur Leon Avdullahun

Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) ka shtuar ndjeshëm përpjekjet për të bindur mesfushorin e ri të talentuar, Leon Avdullahu, që të zgjedhë Zvicrën në nivel përfaqësues.
Sipas Sport.ch, një delegacion i lartë i SFV-së, i përbërë nga presidenti Peter Knabel, përzgjedhësi Murat Yakin dhe ndihmësi i tij Davide Calla, ka udhëtuar kohët e fundit në Gjermani për ta vizituar Avdullahun në klubin e tij të ri, TSG Hoffenheim.
Kjo vizitë bëhet në një kohë kur edhe Kosova po e kërkon intensivisht 21-vjeçarin. Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ishte takuar personalisht me Avdullahun në fund të qershorit në Bazel, ndërsa një përfaqësues i Kosovës ishte i pranishëm edhe në seancën e parë stërvitore të tij me Hoffenheimin.
SFV-ja ka reaguar me shpejtësi ndaj ofensivës së Kosovës. Knabel, që ka marrë detyrën e presidentit, më 1 gusht, e ka shpallur “çështjen Avdullahu” si përparësi të lartë. Ai synon të përdorë edhe kontaktet e tij në Hoffenheim për të ndikuar në vendimin e lojtarit.
Murat Yakin, që dikur ishte përballur me një situatë të ngjashme si zvicerano-turk, ka përfshirë edhe përvojën personale në bisedimet me lojtarin.

Lexo edhe8 vjet nga suksesi historik i Kombëtares së Kosovës në basketboll
“Në disa biseda personale me Leonin dhe me Hoffenheimin, ia kemi shpalosur rëndësinë që ka për ekipin tonë kombëtar. Duam ta ndjekim nga afër zhvillimin e tij si lojtar dhe si njeri, që ai të ketë mundësi të përballet me më të mirët në arenën ndërkombëtare”.
Sipas burimeve të “Blick”-ut, Avdullahu gjendet në listën paraprake të Zvicrës për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës kundër… pikërisht Kosovës dhe Sllovenisë. Ai mund të debutojë me Zvicrën ndaj vendit që po e kërkon po ashtu me ngulm.
Nga rrethi i ngushtë i lojtarit mësohet se vendimi përfundimtar ende nuk është marrë, çka mban gjallë shpresat e Zvicrës. Ekspertët e futbollit tashmë e shohin Avdullahun si partner të mundshëm të Ardon Jasharit në mesfushë – pasardhës të dysheve të suksesshme Xhaka/Freuler.
Një rol kyç mund të luajë edhe Davide Calla, ndihmësi i Yakinit, i cili ka punuar me Avdullahun për dy vite te FC Basel dhe e njeh mirë si lojtar dhe si profesionist.














