Zvicra merr drejtimin e OSBE-së në 2026: Fokus te paqja dhe siguria kolektive
Zvicra është zgjedhur të marrë drejtimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në vitin 2026, një nder i madh për vendin në një kohë të sfidave të shumta globale, transmeton albinfo.ch.
Në një fjalim para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, Këshilltari Federal Ignazio Cassis theksoi rëndësinë e rikthimit te parimet e Helsinkit, të cilat qëndrojnë në themel të arkitekturës së sigurisë evropiane. “Në një periudhë të shënuar nga luftëra dhe mosbesim në rritje, është thelbësore të rikthehemi te bazat e sigurisë sonë të përbashkët,” u shpreh Cassis.
Prioritetet e Zvicrës për kryesimin e OSBE-së:
Mbështetje e palëkundur për parimet e Helsinkit si bazë për një paqë të qëndrueshme dhe bashkëjetesë paqësore midis shteteve;
Fuqizimi i multilateralizmit gjithëpërfshirës, si rruga më e mirë për të luftuar ndarjet dhe fragmentimin ndërkombëtar;
Parashikimi i sfidave të së ardhmes përmes shkencës dhe inovacionit, duke ndërtuar politika të bazuara në të dhëna dhe njohuri;
Promovimi i demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut – shtylla themelore të sigurisë afatgjatë dhe stabilitetit ndërkombëtar;
Forcimi i kapacitetit operacional të OSBE-së, përfshirë mbrojtjen e instrumenteve ekzistuese dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm për misionet e saj.
Ky angazhim i Zvicrës për të udhëhequr OSBE-në në një periudhë vendimtare pasqyron rolet tradicionale të vendit si ndërtues i paqes, promovues i dialogut dhe palë neutrale e besueshme në arenën ndërkombëtare.