Kryenegociatori me BE-së, Jeton Zulfaj, ka komentuar ngjarjet thirrjet e PDK-së sot për të shkuar në kuvend e për të konsituuar këtë institucion. Ai publikoi një fotografi nga kuvendi në seanca për votimin e presidentit kur në të shkojë vetëm Lëvizja Vetëvendosje.
“Kjo ishte pamja më 5 mars dhe me 28 prill të këtij viti në kuvend. PDK-ja po qëndron para derës së kryeministrit, për të mos qëndruar në kuvend”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, Zulfaj tha se “pas shterimit” të kohës për konsultime për presidentin, do të konstituohet kuvendi e do të formohet edhe qeveria. Ndërsa aludoi se PDK-ja s’do të marrë pjesë kur të vijë radha e presidentit.
“Kërkesa e tyre për të shkuar sa më parë në kuvend është kërkesë për të bojkotuar kuvendin, siç kanë bërë që nga viti i kaluar. Por, ja që do të shterohet edhe koha e konsultimeve për presidentin dhe do të konstituohet kuvendi, do të zgjidhet qeveria dhe do t’i vijë radha zgjedhjes së presidentit, pikërisht në kuvend”, ka thënë ai.
Megjithatë, s’dihet se cilës kohë iu referua Zulfaj për shterim përderisa afati kushtetues për konstituimin e kuvendit ka përfunduar më 7 gusht në mesnatë.