Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit “Menaxhimi i Fondit për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë” për periudhën 2017-2024. Raporti vlerësoi efikasitetin e menaxhimit të këtij fondi nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregu (KOSTT) si dhe mbikëqyrjen nga Ministria e Ekonomisë (ME) për zbatimin e masave për burimet e ripërtërishme të energjisë.
Në komunikatën e ZKA-së thuhet se rezultatet e auditimit tregojnë se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) nuk kishte arritur të menaxhojë Fondin në mënyrë efikase. Janë identifikuar mangësi gjatë fazës testuese të prodhueseve të burimeve të ripërtërishme të energjisë, në procesin e organizimit të shitblerjes së energjisë së ripërtërishme si dhe në realizimin e të hyrave për Fondin.
“Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka kryer monitorimin efektiv të Fondit, po ashtu Ministria e Ekonomisë nuk ka bërë monitorim të mjaftueshëm të zbatimit të politikave të burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe arritjen e caqeve të vendosur para vitit 2020”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se auditimi ka evidentuar mangësi gjatë fazës testuese dhe certifikimit të prodhueseve të energjisë së ripërtërishme nga KOSTT. Sipas këtij njoftimi, nuk ishin siguruar garancitë financiare për furnizuesit dhe as për prodhuesit e burimeve të ripërtërishme të energjisë. Në procesin e shitblerjes së kësaj energjie është identifikuar nivel i lartë i jo balancave, gjithashtu nuk kishte mekanizma efektiv për minimizimin e këtyre jo balancave të cilat shkaktojnë kosto shtesë për Fondin. KOSTT nuk ishte efikas në inkasimin e të hyrave në Fond. Inkasimet nga furnizuesit kishin vonesa deri në 7 muaj dhe vlera totale e obligimeve ishte 20 milionë euro.
Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se institucionet përgjegjëse nuk ishin efikase në arritjen e caqeve të vendosura për vitin 2020 për burimet e ripërtërishme të energjisë (era, dielli dhe uji). Po ashtu skemat mbështetëse të hartuar për këtë qëllim nuk kanë arritur të ndihmojnë në përmbushjen e këtyre caqeve.
“Me qëllim të rritjes së efikasitetit në menaxhimin dhe funksionimin e Fondit të Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë nëntë rekomandime”, thuhet në komunikatë.
Raportin e plotë të auditimit të performancës “Menaxhimi i Fondit për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë” e gjeni këtu.