Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Mitrovicës së Jugut në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Arian Tahiri, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe kryetarin aktual të Komunës, Bedri Hamza.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Tahiri tha se ishte kënaqësi të mirëpriste liderin e partisë në Mitrovicë së bashku me kryetarin Hamza, duke theksuar se diskutimet u fokusuan në përgatitjet për fushatën zgjedhore dhe rëndësinë që ka fitorja në këtë komunë për PDK-në, transmeton lajmi.net.
“Diskutuam rreth përgatitjeve për fushatën zgjedhore dhe rëndësinë e fitores në Mitrovicë. Ne jemi gati!”, shkroi Tahiri, i cili aktualisht ushtron edhe funksionin e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Zgjedhjet e 12 tetorit pritet të jenë vendimtare për PDK-në në këtë komunë, ku Bedri Hamza ka shërbyer si kryetar gjatë mandatit të fundit, ndërsa tani partia synon ta mbajë pushtetin përmes kandidaturës së Arian Tahirit./lajmi.net/