Deri më 7 maj, partitë politike në Kosovë kanë afat për t’u deklaruar nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit, si dhe për formimin e koalicioneve parazgjedhore.
Bazuar në planin e aktiviteteve të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), më 2 maj ka nisur edhe afati për aplikim për certifikim të partive të reja, si dhe për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë. Afati për partitë e reja zgjat deri më 10 maj, ndërsa ai për dorëzimin e listave të kandidatëve përfundon më 12 maj.
Njëkohësisht, deri tani nuk është dhënë ndonjë sinjal se partitë e mëdha planifikojnë koalicione parazgjedhore. Në zgjedhjet e fundit, ato të 28 dhjetorit, nga partitë e mëdha shqiptare vetëm Lëvizja Vetëvendosje kishte hyrë në koalicion me parti më të vogla, përkatësisht Guxo, Alternativa dhe PSHDK.
Një ditë më parë, KQZ-ja ka miratuar planin e aktiviteteve dhe buxhetin për zgjedhjet e parakohshme. Sipas këtij vendimi, kostoja buxhetore e procesit zgjedhor do të jetë 10 milionë e 887 mijë euro.
Sipas planit, fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë, duke nisur më 28 maj dhe duke përfunduar më 7 qershor në orën 07:00, kur hapen vendvotimet.
Më 5 maj do të merret vendimi për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore, ndërsa më 16 maj do të bëhet tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim.
Votimi me postë do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor, ndërsa një ditë para zgjedhjeve do të organizohet votimi në përfaqësitë diplomatike. Afati për regjistrim për votim nga jashtë shtetit është prej 6 deri më 17 maj.
Më 21 maj, KQZ-ja do të certifikojë listën e votuesve brenda dhe jashtë vendit.