Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky shprehet se vijon të mbajë kontakte të vazhdueshme me vendet perëndimore, sidomos ato europiane, të cilat mbështesin fuqishëm Kievin – siç tha ai dhe përveç ndihmës, në mënyrë permanente kanë vendosur sanksione kundër Rusisë.
Presidenti ukrainas dhe në takimin e fundit me delegacionin e rrjetit ndërkombëtar parlamentar, kërkoi që asetet e ngrira të Rusisë në të ardhmen të përdoren për rimëkëmbjen e Ukrainës pas luftës.
Zelensky postoi në X, pamje nga takimi ku duken në tavolinën e diskutimit me parlamentarë të vendeve të ndryshme.
“Sot u takova me delegacionin e rrjetit ndërkombëtar parlamentar ‘Të Bashkuar për Ukrainën’. I falënderova për mbështetjen e tyre të vazhdueshme politike për vendin tonë. Kjo është shumë e rëndësishme tani, gjatë luftës, dhe nuk do të jetë më pak e rëndësishme më pas. Ne të gjithë duam një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
Diskutuam të ardhmen e Ukrainës, garancitë e sigurisë dhe rezultatet e takimeve në Uashington. Veçmas, u përqendruam edhe në mënyrën se si asetet e ngrira ruse mund të përdoren për rimëkëmbjen e Ukrainës.
Një zë i bashkuar dhe një qëndrim i përbashkët në Evropë janë me rëndësi të veçantë. Jam mirënjohës ndaj parlamentarëve për mbështetjen dhe vizionin e tyre të përbashkët se Ukraina duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.