Zelensky me “dorë të hekurt”, shkarkon nga detyra shefin e ushtrisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shkarkuar më 21 korrik komandantin e përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Oleksandr Syrskyi, në një vendim që vjen pas disa ditësh protestash masive në Kiev dhe qytete të tjera të vendit.
Demonstruesit kishin kërkuar largimin e Syrskyit, ndërsa zemërimi publik u përshkallëzua pas vendimit të Zelenskyt për të shkarkuar javën e kaluar ministrin e Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, një nga figurat më të njohura dhe më të vlerësuara të qeverisë.
Fedorov deklaroi një ditë pas largimit të tij se Syrskyi i kishte paraqitur një ultimatum presidentit Zelensky, çka shtoi edhe më shumë tensionet politike dhe ushtarake në vend.
Që prej 16 korrikut, mijëra qytetarë kanë dalë çdo ditë në protesta, duke kërkuar rikthimin e Fedorovit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes dhe shkarkimin e Syrskyit nga posti i komandantit të ushtrisë.
Mospajtimet mes dy zyrtarëve ishin bërë të dukshme prej kohësh dhe lidhen me vizione të ndryshme për drejtimin e ushtrisë. Ndërsa Fedorov shihej si një reformator që synonte modernizimin e institucioneve, Syrskyi mbështeste një strukturë të centralizuar komandimi, të frymëzuar nga doktrina ushtarake sovjetike. Ai është kritikuar vazhdimisht nga ushtarakë dhe analistë për mikromenaxhim dhe stil të ashpër drejtimi.

Lexo edheSkandali që tronditi Zvicrën: Ish-politikani akuzohet për drogimin dhe abuzimin e grave, mes tyre një 15 vjeçe
Oleksandr Syrskyi lindi në vitin 1965 në rajonin Vladimir të Rusisë dhe u diplomua në Akademinë e Lartë Ushtarake të Moskës. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, ai iu bashkua ushtrisë ukrainase dhe ndër vite u ngjit në hierarkinë ushtarake.
Ai pati rol të rëndësishëm në mbrojtjen e Kievit dhe në kundërofensivën e suksesshme në rajonin e Kharkivit në vitin 2022. Megjithatë, drejtimi i tij gjatë betejave të Debaltseves, Bahmutit dhe më pas si komandant i përgjithshëm u shoqërua me kritika të forta për humbjet e mëdha njerëzore dhe stilin e tij të komandimit. Për këtë arsye, mes shumë ushtarëve ai mori nofkën “Kasapi”.
Vendimi i Zelenskyt për shkarkimin e Syrskyit vjen në një moment delikat për Ukrainën, ndërsa lufta me Rusinë vazhdon dhe debati mbi drejtimin e ushtrisë dhe reformat në sektorin e mbrojtjes mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në vend.














