Real Madridi do të ketë një numër 10 të ri, pas largimit të Luka Modriqit.
Dhe sipas “Marca”, ai pritet të jetë sulmuesi francez, Kylian Mbappe.
Numri 10 është i njohur për Mbappe-në, pasi e mban këtë numër te Kombëtarja e Francës.
Por te Reali, për shkak se Luka Modriq ishte pronari i këtij numri, ylli francez mori fanellën me numër 9 në prezantimin e tij në verën e vitit 2024. Pavarësisht ndryshimit, ai nuk zhgënjeu – duke shënuar 43 gola, duke u shpallur golashënuesi më i mirë në La Liga dhe fitues i “Këpucës së artë” evropiane.

Megjithatë, kjo ndërrim numri nuk po bëhet me kërkesë të vetë Mbappe-së, por është një vendim i klubit.
“Do të ishte një përditësim i imazhit personal dhe atij të klubit për një lojtar që, përveç paraqitjeve në fushë, është një makinë të ardhurash për klubin në aspektin e të drejtave të imazhit. Dhe në këtë aspekt, trashëgimi i numrit 10 nga Modriq, një fitues i ‘Topit të artë’, do ta fuqizonte markën e tij në çdo drejtim”, shkruan gazeta madrilene.
Aktualisht, Mbappe është në fazë rikuperimi nga një problem me gastroenteritin, që e detyroi të mungojë në ndeshjet e para të Kampionatit Botëror për Klube. Raportohet se ai ka humbur rreth 5-6 kilogramë gjatë kësaj periudhe.