Zbulohet kundërshtari i parë i Infantinos për president të FIFA-s

Ish-futbollisti zviceran Ramon Vega ka konfirmuar kandidaturën për president të FIFA-s, duke u bërë sfiduesi i parë i Gianni Infantinos në zgjedhjet e ardhshme.
Vega, 55 vjeç, kishte tentuar të kandidonte edhe në zgjedhjet e viteve 2015, 2019 dhe 2022, por nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme nga pesë federata anëtare të FIFA-s, shkruan Indeksonline
Në deklaratën e tij të publikuar të mërkurën, ish-mbrojtësi i Tottenhamit dhe Celtic-ut tha se futbolli ka nevojë për një ndryshim të drejtimit dhe reforma themelore.

“Futbolli nuk u përket presidentëve, konfederatave apo zyrtarëve. Futbolli është më i madh se çdo pozicion, individ apo institucion. FIFA-s i duhet një drejtim i ri dhe reforma themelore”, deklaroi Vega.

Lexo edheHansi Flickut i “shtohet” një super mesfushor, De Jong është rikthyer në stërvitje
Për të siguruar kandidaturën zyrtare, Vega duhet të marrë mbështetjen e të paktën pesë federatave anëtare, si dhe të dëshmojë se ka punuar në industrinë e futbollit për të paktën dy nga pesë vitet e fundit.

Ndërkohë, Gianni Infantino pritet të kërkojë një mandat të katërt dhe të fundit në krye të FIFA-s. Afati për dorëzimin e kandidaturave është 18 nëntori, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm./Indeksonline/














