Nga një karrierë shumëvjeçare në gazetari, drejt sipërmarrjes dhe inovacionit në ndërtim – rruga profesionale e Esat Ahmetit pasqyron një kthesë jo të zakonshme, por domethënëse për Kosovën e sotme. I kthyer nga Gjermania, Ahmeti ka lënë profesionin e gazetarit për të themeluar në Kosovë kompaninë Tullat.com, e cila sot operon me sukses dhe po pozicionohet si urë lidhëse mes praktikave evropiane të ndërtimit dhe tregut vendor.
Në kuadër të këtij vizioni, kompania Tullat.com ka organizuar seminarin “Së Bashku drejt Zero”, një ngjarje e zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë belge Vandersanden, prodhuesi më i madh evropian i tullave të fasadës. Seminari u mbajt në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës dhe u konceptua si shembull i bashkëpunimit dual mes teorisë akademike dhe praktikës profesionale.
Gjatë aktivitetit, përfaqësuesit e Vandersanden, Jolien Noben, Menaxhere e Rajonit të Eksportit, dhe Marco Solberg, Drejtor i Eksportit, zhvilluan një dialog të hapur me studentë të arkitekturës, profesorë, arkitektë dhe profesionistë të ndërtimit. Diskutimet u fokusuan në efikasitetin e energjisë, tranzicionin energjetik, inovacionin e produkteve dhe teknologjitë e kapjes dhe ruajtjes së karbonit – tema kyçe për të ardhmen e industrisë së ndërtimit në Evropë.
Pika qendrore e seminarit ishte prezantimi i Pirrouet, tulla e parë e fasadës CO₂-negative në tregun botëror. Sipas përfaqësuesve të Vandersanden, falë një teknologjie unike prodhimi, tullat Pirrouet gjatë procesit të prodhimit absorbojnë dioksid karboni nga atmosfera. Me kapacitet të plotë prodhimi, fabrika e re e Pirrouet absorbon rreth 2,280 ton CO₂ në vit, ekuivalente me efektin vjetor të 114 mijë pemëve të rritura plotësisht.
Në shtator të vitit 2024, Vandersanden inauguroi fabrikën e parë Pirrouet në Lanklaar, Belgjikë, një investim prej 32.5 milionë eurosh. Fabrika ka kapacitet të prodhojë deri në 20 milionë tulla fasade CO₂-negative në vit, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt neutralitetit klimatik deri në vitin 2050.
Pirrouet prodhohet kryesisht nga mbetje minerale të industrisë së çelikut, të kombinuara me rërë dhe ujë. Procesi i karbonatizimit realizohet pa përdorimin e karburanteve fosile, ndërsa CO₂ lidhet në mënyrë të përhershme me materialin, duke e bërë tullën negative në karbon gjatë gjithë ciklit të saj jetësor. Përveç përfitimeve mjedisore, Pirrouet ofron stabilitet të lartë formësor, përmbush standardet strikte evropiane dhe është e disponueshme në 13 ngjyra me estetikë bashkëkohore.
Për Esat Ahmetin, ky seminar nuk ishte vetëm një prezantim produkti, por një dëshmi se edhe në Kosovë mund të ndërtohen ura mes dijes akademike, biznesit dhe inovacionit evropian. Një qasje që, sipas tij, i jep kuptim të ri zhvillimit të qëndrueshëm dhe rolit që vendi mund të luajë në të ardhmen e ndërtimit në rajon.




