Ylli i Juventusit zbulon bisedën me Zhegrovën para ndeshjes me Napolin

Edon Zhegrova ishte një nga protagonistët kryesorë të fitores së Juventusit ndaj Napolit, duke dëshmuar edhe një herë se mund të bëjë diferencën në momentet vendimtare. Futbollisti kosovar, i cili u aktivizua si zëvendësues, dha asistimin për golin e parë të shënuar nga Alajbegoviç, ndërsa ndikimi i tij në lojën e bardhezinjve u vu re menjëherë pas hyrjes në fushë.
Për rëndësinë e Zhegrovës foli edhe bashkëlojtari i tij, Jeremie Boga, i cili zbuloi një prapaskenë interesante nga përgatitjet për këtë ndeshje.
Reprezentuesi i Kosovës u aktivizua në minutën e 59-të dhe vetëm 11 minuta më vonë dha asistimin vendimtar për golin e epërsisë. Zhegrova tregoi cilësitë e tij në depërtim, duke kaluar me mjeshtëri mbrojtësin Amir Rrahmani dhe duke i krijuar mundësinë Alajbegoviçit të realizonte me një goditje të fuqishme nga distanca.
Ndikimi i tij nuk përfundoi me asistimin, pasi Zhegrova vazhdoi të ishte kërcënim për mbrojtjen kundërshtare, duke krijuar hapësira dhe duke marrë përgjegjësi në fazën ofensive.
Pas ndeshjes, Jeremie Boga zbuloi edhe një prapaskenë interesante nga bisedat mes futbollistëve të Juventusit, ku protagonist ishte edhe Zhegrova. Ai tregoi se para ndeshjes kishin diskutuar me njëri-tjetrin për rëndësinë e goditjeve nga distanca dhe i kishin kërkuar Alajbegoviçit të shfrytëzonte më shumë këtë cilësi.

Lexo edheTchouameni e goditi me top një djalosh në tribuna
“Alajbegoviç është një lojtar shumë i fortë. Sot para ndeshjes me Zhegrovën folëm dhe i thamë të gjuante më shumë, e kishim këtë në mendje. Ai e ka këtë gjuajtje, duhet ta gjuajë më shumë, duhet ta bëjë me bindjen që kishte sot”, deklaroi Boga.
Kështu, Zhegrova ishte drejtpërdrejt protagonist në zhbllokimin e ndeshjes, ndërsa Juventusi me golin e Bogës në minutën e 87-të siguroi fitoren 2-0 ndaj njërit prej rivalëve më të fortë në Serie A.














