Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën për zbutjen e masës së sigurisë për Gjon Shkambin, xhaxhain e Elvis Shkambit autorin e dyshuar të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ku i pandehuri shpërtheu në lot dhe deklaroi se ndiente keqardhje për ngjarjen e rëndë, duke theksuar se nuk kishte dijeni për qëllimet e nipit të tij.
“Jam i keqardhur për atë që ndodhi, po ta dija, do ta kisha parandaluar”, u shpreh ai para trupit gjykues.
Gjon Shkambi akuzohet për “vrasje të mbetur në tentativë”, ndërsa nipi i tij, Elvis Shkambi, është autor i dyshuar i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjes së dy personave të tjerë.
Ngjarja e rëndë ndodhi pas përfundimit të një seance gjyqësore për një çështje pronësie në Apelin e Tiranës, ku gjyqtari Kalaja kishte dhënë vendimin kundër palës së përfaqësuar nga familja Shkambi.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Elvis Shkambi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të gjyqtarit, duke e lënë të vdekur në vend.
Në të njëjtën seancë, u shqyrtua edhe masa për Banush Koxhajn, punonjës i gjykatës, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se nuk kreu kontrollin e duhur me detektor.
Avokatja e tij kërkoi lirimin, duke theksuar se klienti është i sëmurë dhe se mungesa e trajnimit e ka bërë të pamundur shmangien e incidentit. Ndërkohë, babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, të plagosur gjatë ngjarjes, ndodhen në Spitalin e Traumës dhe janë jashtë rrezikut për jetën, shkruan JOQ.