Ajo konsiderohet si njëra nga xhamitë më të famshme në trojet shqiptare, dhe kjo për shumë arsye. Namin e mirë e këtij tempulli fetar e ka ndërtuar përveç tjerëve imami Ahmed Kalaja, i cili tashmë është shndërruar në hoxhën ikonë të Tiranës dhe jo vetëm.
Kalaja, me përkujdesin e tij ndaj grupeve të ndryshme shoqërore ka arritur që ta përçojë drejt, saktë dhe bukur mesazhin e islamit, duke bërë që të integrohet me punën e tij, në brendësinë e një shoqërie që ndonjëherë ka paragjykime ndaj besimit dhe besimtarëve musliman.
Kujdesi i këtij imami dhe puna e vyeshme me ‘xhematin’ në aktivitetet humanitare, sociale dhe fetare, kanë rezultuar që xhamia “Dine Hoxha” të jetë një vend takim sa fetar aq edhe objekt ku njerëzit përfitojnë shpirtërisht dhe në rrafshin humanitar. Kontributi i Kalasë dallohet edhe në qasjen e tij ndaj personave dhe grupeve që duan të mësojnë dhe njohin më tepër Islamin, por jo rrallë herë mbete edhe kujdestar i çmuar i namazlinjve që janë pjesë e estradës sportive, kulturore dhe artistike tek populli ynë.
Angazhimi dhe mbështetja e tij veçanërisht pët futbollistët e kombëtares, kanë bërë që ai të marrë epitetin si “Imami Kuq e Zi”.
Tregues i suksesit të tij, është edhe rrëfimi për “Dine -n, (siç e quajnë shkurtë xhaminë), si njëri nga margaritarët e kryeqytetit shqiptar, në të cilën nuk mungon agjenda e ngjeshur në të gjithë muajt, e me theks të veçantë në 30 ditët e Ramazanit.
Njëri nga administratorët e kësaj xhamie, Blerim Plaku, ka theksuar për 30 ditët se “në xhaminë tonë është bërë traditë që të shtrohen iftare dhe syfyre për agjëruesit”.
Ai duke e përshkruar “ofertën” e këtij tempulli fetar, gjatë muajit të Ramazanit, ka sqaruar se shujta e iftarit zakonisht ndahet në dy pjesë.
“Para se të falet namazi i akshamit, agjëruesit, të cilët janë në një numër të konsiderueshëm, gostiten me hurma, fruta dhe ujë. Kurse pas faljes së namazit të akshamit, ata ulen në ambientet e xhamisë për të ngrënë vaktin e plotë”, ka thënë ai.
Plaku ka theksuar se në këtë xhami iftaret dhe syfyret shtrohen për të dyja gjinitë, duke shtuar se “gjithashtu në 10 netët e fundit të Ramazanit, ka edhe syfyre pas faljes së namazit të natës”.
“Atmosfera e taravive është e bukur, e hareshme me një ndjesi të veçantë. Numri i besimtarëve gjatë taravive rritet shumë, duke e bërë të detyrueshme faljen në ambientet e jashtme të xhamisë, si pasojë e kësaj atmosfera e mrekullueshme ndjehet edhe nga kalimtarët dhe fqinjët”, ka thënë ai.
Xhamia vazhdon që me një dashuri dhe respekt të veçantë të kujdeset për jetimët – si kategori që ka nevojë për ngrohtësinë shoqërore.
Ata kujdesin e tyre, gjatë këtij muaji, e ofrojnë edhe për njerëzit në nevojë ekonomike dhe shëndetësore, duke u organizuar shpërndarjen e ndihmave si rasti i aktivitetit “Shporta e Ramazanit”.
Ekipi i këtij tempulli të rëndësishëm në mesin e komuniteti musliman shqiptar, gjatë muajit të bekuar, organizohen edhe leximin e Kur’anit famëlartë, që mbikqyret nga emra të njohur si hoxhë Ahmed Kalaja, hafëzi Besmir Krruta dhe hafëzi Platon Llana.
“Të gjitha këto aktivitete bëhen të mundura nga një staf energjik dhe i pasionuar. Stafi përbehet nga 26 persona, të cilët nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e imamit Ahmed Kalaja, administratorit Bulin Plaku (Blerimi), dhe këshillit të xhamisë ‘Dine Hoxha”.
Mbështetja materiale është njëra nga shtyllat mbi të cilat realizohet secili prej shumë aktiviteteve të kësaj xhamie, andaj “çdo aktivitet që zhvillohet në xhaminë tonë, mbështetet financiarisht nga besimtarët e xhematit të ‘Dine Hoxhës”.
Këto janë aktivitetet e plota gjatë muajit të begatë të Ramazanit, në xhaminë e Dine -s:
– Gjatë këtij muaji në xhami organizohet lexim-këndim i Kur’anit (Hatme)
– Çelje e iftarit para namazit të akshamit (për 400-600 persona)
– Shtrim i iftarit në ambientet e xhamisë për 250 persona
– Shtrim syfyri në 10 netë – shin e fundit të Ramazanit, për 600-700 persona
– “Shporta e Ramazanit” ku ndihmohen për 450 familje në nevojë ekonomike
– Shpërndarja e literaturës islame dhe shpërndarja e Kur’anit
– Falja e taravive dhe e namazit të natës me një pjesëmarrje të madhe
– Mbledhja e sadakasë së vitrit dhe shpërndarja e saj.
– Tavolina e informacionit mbi islamin dhe fenë dhe vizita e të sëmurëve
– Përkujdesja ndaj jetimëve dhe njerëzve në nevojë.
– Lexim të haditheve pas çdo namazi dhe organizimi i Festës së Bajramit në ambientet e xhamisë./www.30ditet.com/.

