Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Mbrojtjes për Politika Evropiane dhe NATO, David Baker, ka ardhur sot për vizitë në Kosovë.
Ndërkaq, Martin Vulaj, që udhëheq komunitetin shqiptaro-amerikan, e ka quajtur vizitën e David Baker në Kosovë si reflektim të partneritetit ShBA-Kosovë.
“Kjo vizitë, edhe vizitat e tjera, janë reflektim i realitetit të partneritetit që ka Kosova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe rëndësisë së saj në rrafshin gjeopolitik, sidomos në rrafshin e sigurisë”, ka thënë Vulaj për Info Magazine të Klan Kosovës.
“Në këtë realitet të ri që është krijuar këto vitet e fundit, ku bota po ndryshon dhe Amerika po rikonfiguron interesat e saj ndërkombëtare, si edhe marrëdhëniet e saj me partnerët e saj, jemi në një fazë të konsolidimit të aseteve të sigurisë që i ka në botë dhe rikonstruktimit të këtyre. Edhe këtu figurojnë jo vetëm personat, por shqiptarët në përgjithësi”.
Sipas Vulajt, tashmë shqiptarët po konsiderohen pjesë e Perëndimit ndonëse dikur nuk hynin në një konsideratë të tillë.
“Unë besoj thellësisht se shqiptarët më në fund kanë kaluar në Perëndim. Gjithmonë Ballkani ka qenë një zonë gërshetimi interesash dhe historikisht Perëndimi ka ndaluar përmbi nesh, diku kah Kroacia ose ndoshta edhe më larg”.
“Tani ajo linja e Perëndimit ka zbritur duke përfshirë shqiptarët brenda, dhe ne e gjejmë veten bash në ballë të Perëndimit dhe të Lindjes në Evropën Juglindore.”